Sportingu i Lisbonës ka prodhuar disa nga sulmuesit më të mirë gjatë viteve të fundit – Cristiano Ronaldo e Bruno Fernandes - por Nuno Mendes mund të jetë mbrojtësi më i mirë që ka dalë ndonjëherë nga akademia e klubit portugez. Sipas raporteve në Portugali, disa nga klubet më elitare të Evropës po monitorojnë situatën e mbrojtësit të majtë, 18-vjeçarit Mendes, përfshirë këtu Liverpoolin, Manchester Cityn, Manchester Unitedin, Juventusin, Milanin e Paris Saint-Germainin.
Megjithatë, Mendes vlerësohet lart nga Sportingu dhe skuadra që dëshiron ta transferojë atë në fund të këtij edicioni duhet ta aktivizojë klauzolën e tij të lirimit, që kap vlerën prej 70 milionë eurove. Mendes është talenti i fundit që vë në dukje punën e madhe që bëhet në akademinë e Sportingut. Kjo akademi ka një reputacion të pasur për prodhimin e disa prej yjeve më të shquar të botës në të ardhmen. Së bashku me legjendat si Cristiano Ronaldo e Bruno Fernandes, prej akademisë së Sportingut kanë dalë edhe Luis Figo, Sabrosa Simao, Luis Nani e Joao Moutinho. Prodhimet e tanishme të akademisë së Sportingut përmbajnë të rinjtë që janë jashtëzakonisht të vlerësuar dhe që po kërkohen nga klubet e mëdha. Krahas Mendesit, te Sportingu po dalin në skenë edhe Joelson Fernandes, Tiago Tomas, e mbrojtësi Eduardo Quaresma, që pritet të kenë të ardhme të ndritur.
“Nuno Mendes është njëri prej talenteve më të mëdha që ka dalë nga akademia jonë. E them këtë duke pasur parasysh se është një mbrojtës krahu me një teknikë të jashtëzakonshme”, ka thënë Federico Varandas, kryetari i Sportingut.
Pasi u kërkua nga gjigandët portugezë, Benfica e Porto, Mendes u bashkua me akademinë e Sportingut në moshën 10-vjeçare dhe përfundimisht u transferua në akademinë e klubit kur mbushi 14 vjet. Trajnerët e të rinjve të Sportingut nuk mund të vendosnin nëse Mendes ishte më i përshtatshmi si mesfushor ofensiv, apo mbrojtës i krahut të majtë, por në kohën kur ai hyri në ekipin e parë të klubit u vendos që ta fillonte karrierën e tij si mbrojtës. Trajneri i ekipit të parë të Sportinguy, Ruben Amorim, nuk mori aspak kohë duke e promovuar adoleshentin në formacionin startues, me Mendesin që bëri debutimin e tij profesional në ndeshjen e dytë të klubit pas ndërprerjes së kampionatit shkaku i koronavirusit. Dhe, prej asaj kohe, Mendes ka luajtur pothuajse çdo lojë. Në përgjithësi, Mendes ka bërë 34 paraqitje në të gjitha garat për Sportingun, duke shënuar një gol dhe duke asistuar dy herë.
“Nuno është njëri prej mbrojtësve të talentuar me një të ardhme të ndritur, pasi tashmë ka shumë skuadra të mëdha të Evropës që po e duan transferimin e tij”, pranoi Amorim.
Mendes është një mbrojtës me tipare sulmuese, pasi është i aftë në kontrollimin e topit dhe të bëjë presion të vazhdueshëm përpara. Teknika e tij është aq e përsosur sa krahasohet me atë të Ronaldinhos. Te Sportingu e vunë re se teknika e Mendesit ishte e një niveli shumë të lartë, prandaj dilema me të cilën përballen ende është nëse ai duhet të jetë një mesfushor sulmues, apo një mbrojtës i krahut të majtë.
Edhe“Teknika e tij mund të krahasohet me atë të Ronaldinhos, kjo për faktin se ai ka qenë një futbollist i rrugës në periferi të Lisbonës. Kjo do të thotë se ai ka teknikë të përkryer”, tha Diego Goncalves, trajner i tij te të rinjtë e Sportingut.
Mendes ka kontratë me ekipin portugez deri në vitin 2025 dhe mbetet të shihet nëse do ta vazhdojë shkëlqimin e tij te Sportingu, apo në ndonjë klub tjetër të madh të Evropës pas përfundimit të sezonit aktual.