Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu merr drejtimin e Shkëndijës

Ish-trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka marrë drejtimin e skuadrës së Shkëndijës së Tetovës. Ai te Shkëndija është prezantuar të hënën, ndërsa me ekipin tetovar ka firmosur kontratë dyvjeçare.

Nuhiu 44-vjeçar ishte i papunë prej vitit të shkuar kur u largua nga Drita, ndërsa në postin e trajnerit të Shkëndija ka zëvendësuar Qatip Osmanin.

Nuhiu për tri vite sa ishte te Drita arriti ta fitojë titullin dhe Superkupën e Kosovës, si dhe pati paraqitje të mira në arenën evropiane.

Nuhiu ka thënë se ndihet gati për këtë sfidë të re, ndonëse si futbollist aktiv ka luajtur në dy periudha me Shkëndijën, duke e fituar edhe titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut. “Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, është shprehur Nuhiu.

Artikuj të ngjashëm