Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu edhe dy vjet te Sheffieldi

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet me Sheffield Wednesday, që do ta mbajë te kjo skuadër deri në vitin 2020.

Shtatlarti Nuhiu kontratën e re me klubin e kategorisë së dytë angleze e ka nënshkruar të enjten, ka njoftuar sajti zyrtar i Sheffieldit. 28-vjeçari ishte golashënuesi më i mirë i Sheffieldit këtë edicion. Ai ka realizuar 11 gola në 28 paraqitje në Championship.

"Sheffield Wednesday ishte klubi që hapi dyert për mua që të vijë në Angli dhe prioritet imi ishte që të qëndroja këtu", ka thënë Nuhiu.

"Menaxheri dhe klubi kanë dëshmuar se dëshirojnë që unë të qëndrojë këtu, kështu që nuk kishte dyshime se do të mund të arrijmë marrëveshje. Jam i lumtur për këtë".

Nuhiu kaloi te Sheffieldi në vitin 2013 si lojtar i lirë, pasi u nda me skuadrën turke Eskishehirspor. Ai shënoi në debutim dhe tashmë ka arritur në shifrën e 35 golave, duke përfshirë një që kujtohet ndaj Manchester Cityt në kuadër të FA Cup dhe një "hat-trick" ndaj Norwichit.

Nuhiu si lojtar është formuar në Austri. Ka luajtur për të rinjtë e Austrisë, ndërsa tashmë ftohet rregullisht nga Kosova.