Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, do të largohet nga skuadra e APOEL-it në fund të këtij edicioni.
Mediumet nga Qipro kanë njoftuar të hënën, se Nuhiu ka arritur marrëveshje me drejtuesit e APOEL-it për shkëputjen e kontratës një vit para kohe.
Thuhet se të dyja palët janë ndarë të kënaqura me këtë marrëveshje dhe Nuhiu do të mbetet lojtar i lirë në fund të sezonit.
Sulmuesi 31-vjeçar iu bashkua APOEL-it në fillim të këtij sezoni, por kontributi i tij ka qenë fare i vogël. Ai ka shënuar vetëm një gol dhe ka bërë një asistim në 25 paraqitje në të gjitha garat.