Sport

Norma e Pupovcit për Lojërat Olimpike Dimërore

Prishtinë, 28 janar – Dy ditë më parë, skitari i Kosovës, Arbi Pupovci, nuk arriti ta përfundojë garën në disiplinën sllallom, që u mbajt në Borovec të Bullgarisë. Por, të enjten, Pupovci e mbylli garën e sllallomit në vend të tretë, në Pamporovo të Bullgarisë. Ai kishte kohë prej pak më shumë se dy minuta. Mbeti prapa bullgarit Kalin Zlatkov për 7 sekonda e 97 të qindtat.

Por rezultati i arritur i mjaftoi Pupovcit për ta siguruar normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore, që mbahen vitin e ardhshëm në Kinë, përkatësisht në Pekin (Beijing).

Normën e ka siguruar pas arritjes së pikëve të duhura në garat e organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS).

Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë. Pupovci të enjten kishte 115,88 pikë, ndërsa një ditë më herët në Borovets doli i teti dhe kishte 153,13 pikë.

Aktualisht Kosova e ka vetëm Pupovcin me normë në disiplinën sllallom, por në rast se këtë sukses e arrin edhe ndonjë garues tjetër në po të njëjtën disiplinë, atëherë Federata Skitare e Kosovës obligohet të zgjedhë vetëm një garues të së njëjtës disiplinë për pjesëmarrje në Olimpiadën dimërore .

Skitari Pupovci ka thënë se është i kënaqur me të arriturën e tij. Por ai thotë se ka mundur edhe më shumë.
“Ka qenë një ditë shumë e mirë për mua, pista ka qenë e vështirë, konkurrenca ka qenë e nivelit të lartë, por ia arrita qëllimit ta fitoja normën olimpike për sllallom. Kam pritur me rezultat të përfundoj në vendin e pestë ose gjashtë, por paraqitja ime ka qenë e shkëlqyer. Për të arritur më shumë, duhet edhe më shumë punë. Kemi filluar në muajin tetor me përgatitje, pastaj kemi vazhduar me gara në Turqi, ku edhe aty e kemi arritur vendin e tretë. Deri në fund të sezonit do të jemi në gara dhe stërvitje, pastaj në akullnaja në verë. Shpresoj të mos ndalem deri në olimpiadë. Vendi i tretë është e arritura më e madhe e imja, por shpresoj që shpejt të arrij ta zë edhe vendin e parë”, ka thënë skitari 20-vjeçar të enjten për KOHËN.

Kosova ka shpresa për normë edhe nga skitari Albin Tahiri që jeton në Slloveni.

Por Tahiri do të fokusohet që normën ta kërkojë në ndonjë disiplinë tjetër. Këtë e konfirmon edhe përzgjedhësi i Kosovës, Agim Pupovci, si dhe në Federatën Skitare të Kosovës (FSK).

Shpresa për normë kanë edhe Fiona Blaka Rusta dhe Kiana Kryeziu. Por, ende janë larg me rezultate, ndonëse ka edhe shumë gara deri para Lojërave Olimpike Dimërore.

Përzgjedhësi Pupovci thotë se Arbi mund të arrijë edhe më shumë. Por kërkon mbështetje edhe më të madhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Federata Skitare e Kosovës dhe nga sponsorë të ndryshëm.

“Meqë Arbi siguroi normën, Albini shkon në disiplinë tjetër. Arbi mundet edhe më shumë, por na duhet përkrahje nga KOK-u, Federata dhe sponsorët. Drin Kokajn dhe Kianën i kemi shpresa, janë shumë të mirë, por u duhet përvojë. Arbi ka kapacitet të arrijë edhe më shumë, por i duhet vetëm përkrahja. Tani kishim një ndihmë të madhe nga një sponsor, ku blemë pajisjet, pa të cilat nuk do ta arrinte këtë rezultat. Nuk mund të arrihen rezultate nëse vetëm 10 apo 20 ditë je në përgatitje dhe pastaj pauzon. Duhet që gjatë tërë vitit të mbështetet dhe të shkojë në përgatitje një garues premtues”, ka thënë Agim Pupovci.

Nga 8 deri më 21 shkurt në Cortina d’Ampezzo të Italisë do të mbahet kampionati botëror, ku Kosova ka planifikuar të marrë pjesë me Arbi Pupovcin, Albin Tahirin dhe Fiona Blaka Rustën.

Pupovci thotë se do të ishin të kënaqur nëse ndonjëri do të përfundonte në 60 më të mirët.

“Synimet në kampionatin botëror janë të hyjmë në 50 apo 60 vendet e para. Të jemi realist, nuk kemi stërvitje për të pasur sukses në botëror. Por, pas botërorit duhet ushtrime maksimale e që vendet më të përshtatshme për të ngritur nivelin janë Italia apo Austria. Unë pres të kemi përkrahje, sepse neve na duhet përkrahje për të qenë të suksesshëm”, ka thënë Pupovci.

Kosova ishte pjesëmarrëse me Albin Tahirin në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”. Por nuk arriti ndonjë sukses.

Sigurimi i normës për Lojërat Olimpike Dimërore nuk është njëjtë sfidues si për Lojërat Olimpike Verore. Duhet të arrihen standarde, por që janë larg me ato të kërkuara për Lojërat Olimpike Verore. Kështu Albin Tahiri kishte normë për disa disiplina, ndërsa rezultatet i kishte larg prej atyre që garantojnë përfshirje në luftë për medalje.