Përpjekja e Liverpoolit për të fituar katër trofe këtë edicion, që në fillim dukej e pamundur, në fakt ka filluar të duket si një mundësi. Fitorja e Liverpoolit në gjysmëfinalen e Kupës FA kundër Manchester Cityt, të shtunën, e çoi skuadrën e trajnerit Juergen Klopp në finalen e dytë vendase të këtij edicioni. Do ta luajë finalen e Kupës FA me Chelsean muajin e ardhshëm.
Liverpooli ka triumfuar tashmë në Kupën e Ligës, është një pikë prapa Cityt në Premier League dhe përballet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me Villarrealin.
Te Liverpooli – si lojtarët ashtu edhe trajneri – po tregohen kryesisht të rezervuar në lidhje me mundësinë për t’i fituar katër trofe brenda këtij edicioni. Por është sulmuesi nga Senegali, Sadio Mane, që foli haptazi për këtë mundësi. Ai pranoi se Liverpooli mund ta shkruajë historinë, duke u bërë ekipi i parë anglez që ka fituar katër trofetë e mëdhenj.
“Mendoj se është pak herët të flasim për t’i fituar katër trofe, por padyshim se do të luftojmë dhe do ta bëjmë të pamundurën për ta arritur këtë sukses”, pranoi Mane.
Rruga finale e Liverpoolit për ta bërë mbylljen historike të këtij edicioni nis të martën mbrëma.
Në stadiumin “Anfield Road”, Liverpooli e pret Manchester Unitedin në ndeshjen e mbetur të Premier Leagues. Pra, rruga që nis të martën mbrëma përfundon potencialisht më 28 maj, në finalen e Ligës së Kampionëve që do të luhet në Paris.
Pesë ditë pas duelit me Unitedin, Liverpooli luan sërish në shtëpi në kuadër të kampionatit anglez, kur do të përballet me Evertonin. Rrugëtimin e vazhdon kundër Villarrealit (27 prill) në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit, që do të luhet në Angli. Një javë më pas skuadrat do të përballen në Spanjë.
Në Premier League, Liverpooli do të luajë edhe kundër Newcastlet, Tottenhamit, Aston Villas, Southamptonit e Wolverhamptonit. Në Premier League, Liverpooli ka vetëm edhe shtatë ndeshje deri në fund të edicionit.
Ndërsa, me Chelsean në finalen e Kupës FA do të përballet më 14 maj, dy javë para finales së Championsit.
“Nuk po mendojmë për fitimin e katër trofeve, sepse do të ishte e palogjikshme. Do të vazhdojmë të luajmë me këtë ritëm deri në fund të sezonit dhe pastaj do të shohim. Nuk është mirë të flitet për gjëra të tillë tani, sidomos në fazën më të rëndësishme të sezonit. Po mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”, ka insistuar trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.
Edhe kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka thënë se nuk po mendojnë për suksesin historik. Holandezi thotë se bisedat për fitimin e katër trofeve i takojnë “botës së jashtme” dhe rrezikojnë t’u bëjnë presion shtesë atij dhe bashkëlojtarëve të ekipit. Në fakt, City e Liverpooli, që po luftojnë për titull në Premier League, mund të përballen edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. City në gjysmëfinale do të luajë kundër skuadrës së Real Madridit. Në letër, Liverpooli e ka orarin më të vështirë sesa skuadra e Cityt.
“Askush nuk arriti t’i fitojë katër trofe dhe ka një arsye për këtë - sepse është pothuajse e pamundur të bëhet”, tha Van Dijk. “E gjithë kjo bisedë është nga bota e jashtme dhe mund të bëjë presion shtesë mbi ne. Është diçka që të gjithë do ta ëndërronin, të fitosh çdo garë ku merr pjesë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Kthimi i Van Dijkut në formën fizike ka qenë vendimtar në sezonin mahnitës të Liverpoolit deri më tani. Holandezi mungoi për dhjetë muaj për shkak të dëmtimit të ligamenteve edicionin e kaluar dhe nuk arriti të paraqitet në “Euro 2020”. Me Kupën e Botës në Katar, që është shtatë muaj larg, ai po shijon rikthimin në fushë.
“Unë nuk isha lojtar i madh në të kaluarën, isha një shpërthim mjaft i vonshëm dhe kjo është arsyeja pse e shijoj karrierën time edhe më shumë”, shtoi ai. “Thjesht dua ta vazhdoj, të qëndroj në formë, të fitoj ndeshje dhe të përgatitem gjithashtu për Kupën e Botës”.