Shqipëria është vlerësuar për lojën që bëri ndaj Turqisë, por nuk mori pikë të premten mbrëma në Stamboll. Kombëtarja kuqezi pësoi gol në minutën e 90-të dhe humbi 1:0, ndonëse kishte raste të pastra në atë sfidë. Tani te Shqipëria i janë kthyer ndeshjes me Moldavinë, ndërsa synohet që një lojë tjetër e mirë të konkretizohet me tri pikë të fituara.
Ndeshja Moldavi - Shqipëri luhet të hënën (sot) nga ora 20:45 në Chisinau. Shqipëria është e katërta në Grupin H me 9 pikë të mbledhura nga shtatë ndeshje dhe pa gjasa për kualifikim. Prijnë Turqia e Franca me nga 18 pikë, ndërsa e treta është Islanda me 12 pikë, shkruan sot “Koha Ditore”. Andorra e Moldavia i kanë nga 3 pikë në dy pozitat e fundit.
Deri në fund të kualifikimeve për “Euro 2020” kanë mbetur edhe tri xhiro në këtë grup. Më 14 nëntor Shqipëria e pret Andorrën, kurse më 19 nëntor luan ndeshjen përmbyllëse ndaj Francës në Tiranë.
“Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë, më shumë për rezultatin sesa për lojën. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do të vijnë. Kemi nevojë që të vazhdojmë edhe me rezultate, jo vetëm me lojë”, ka thënë përzgjedhësi Edy Reja të dielën në konferencë për shtyp.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)