Sport

Newcastle synon ta ndalë PSG-në në Champions

Newcastle Unitedi e pret Paris Saint-Germainin për ndeshjen e xhiros së dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Ndeshja do të jetë treguese se sa ka ecur përpara klubi anglez. Në fakt do të jetë një ndeshje ikonike në stadiumin “St. James Park”, të mërkurën prej orës 21:00. Të dy klubet ia faturojnë ngritjen e tyre, investimeve të konsiderueshme në vitet e fundit.

Dueli që i takon Grupit F të Championsit, do të jetë i pari i klubeve të mbështetura nga Katari, përkatësisht Arabia Saudite.

Newcastle është ende shumë prapa PSG-së sa u përket investimeve. Parisi tashmë ka edhe avantazhin në këtë grup të vështirë pasi mundi Borussia Dortmund 2:0 dy javë më parë, ndërsa Newcastle barazoi 0:0 në udhëtim ndaj Milanit. Nëse PSG-ja shmang humbjen ndaj Newcastlet, atëherë skuadra e Luis Enriques do të jetë në rrugën e duhur për t'u kualifikuar në fazën nokaut nga ky grup i vështirë . Këtë e ka parasysh trajneri i Newcastlet, Eddie Howe, i cili ka insistuar se ekipi i tij do të fokusohet t’i fitojë ndeshjet në shtëpi në Champions.

“Do të jetë ndeshje vendimtare për ne, pasi luajmë në shtëpi. Duelet në udhëtim në Champions janë të vështira për t’u fituar dhe këtë e përjetuam ndaj Milanit. Kështu që ne duhet të kërkojmë fitoret në shtëpi duke filluar nga kjo ndeshje, e cila përfundimisht nuk do të jetë aspak e lehtë. Shpresoj t’ia dalim pasi do ta kemi edhe përkrahjen e madhe të tifozëve tanë”, është shprehur Howe në konferencën për shtyp të mbajtur të martën.

“Është një moment i madh për ne. Pas një kohe të gjatë do të kemi një ndeshje Championsi në shtëpi dhe besoj se do të jetë një natë magjike. Fokusi ynë është ta fitojmë këtë përballje, por Parisi ka një ekip shumë të mirë edhe pse ka bërë shumë ndryshime”.

Howe nuk do të mund të llogarit në tre futbollistë për këtë duel. Shkaku i lëndimeve, mungojnë Callum Wilson, Sven Botman e Joelington ndërsa Sandro Tonali është rikuperuar dhe është i gatshëm për lojë. Edhe PSG-ja do të ketë mungesa. Krahas Nuno Mendesit që mungon tashmë një kohë të gjatë, trajneri Luis Enrique nuk do ta ketë në dispozicion as Marco Asension e Presnel Kimpemben. Parisi shpresat do t’i ketë te sulmuesi Kylian Mbappe, i cili u kthye vikendin e shkuar nga lëndimi.

Këtë edicion, Mbappe ka shënuar 8 gola në 7 paraqitje në të gjitha garat dhe do të jetë rreziku kryesor për Newcastle Unitedin.

nuk ka pasur start të mirë këtë edicion në Premier League, ku ka tubuar 12 pikë prej 7 ndeshjeve të luajtura. Edhe PSG-ja ka pasur start të ngjashëm në Ligue 1, me 12 pikë pas 7 xhirove.

“E kemi nisur mirë Championsin, por ndaj Newcastlet na pret një test i vështirë dhe i vërtetë. Newcastle ka ekip të mirë dhe askush nuk ka dashur ta ketë kundërshtar në grup. Luan në shtëpi dhe sigurisht se do të na sfidojë, pasi do ta ketë edhe motivimin nga tribunat. Është një ekip i kompletuar por ne do të mundohemi të shfaqim lojën tonë për të treguar identitetin dhe filozofinë në të cilën kemi punuar javët e fundit”, ka thënë trajneri i PSG-së, Luis Enrique. “Nuk e shoh Parisin favorit as të këtij dueli por as të grupit. Duhet ta mposhtim një ekip cilësor si Newcastle për të parë nëse jemi favorit. Pres nga lojtarët të mos kursehen në këtë ndeshje të rëndësishme”.

Edhe dueli tjetër i këtij grupi, ndërmjet Borussia Dortmundit dhe Milanit, vlerësohet derbi i mbrëmjes. Kjo ndeshje zhvillohet të Gjermani dhe gjithashtu starton prej orës 21:00.

Përderisa Milani ka një pikë në Champions, Dortmundi është në kërkim të pikëve të para pas humbjes nga Parisi.

Te Milani kanë pranuar se ndaj Dortmundit i pret një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh se ekipi gjerman ka kohë që nuk ka humbur në stadiumin “Signal Iduna Park”. Listës së lojtarëve të lënduarve te Milani ditë më parë i është shtuar edhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa Dortmundi pritet të jetë i kompletuar.

“Dortmundi është ekip që në dy vjetët e fundit nuk di për humbje në shtëpi në Champions dhe e kemi parasysh se do të kemi telashe. Kemi disa mungesa por pas barazimit në ndeshjen e parë, sigurisht se synojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive për të shkuar drejt avancimit nga faza e grupeve”, tha trajneri i Milanit, Stefano Pioli.

Antwerpi i Arbnor Mujës pas humbjes së thellë nga Barcelona (5:0), të mërkurën e pret në Belgjikë skuadrën e Shakhtarit, ekip që po ashtu pësoi në ndeshjen e parë nga Porto (3:1). Kjo ndeshje nis në orën 18:45 dhe i takon Grupit H.

Ndërkohë, kampioni i Zvicrës, Young Boysi, ku aktivizohen Donat Rrudhani e Kastriot Imeri ka një udhëtim të vështirë në Grupin G. Në Beograd, Young Boysi përballet me Cërvena Zvezdën në duelin që starton në orën 21:00.

Liga e Kampionëve

E mërkurë

Grupi E

Atl. Madrid – Feyenoord (18:45)

Celtic – Lazio (21:00)

Grupi F

B. Dortmund – Milan (21:00)

Newcastle U. – PSG (21:00)

Grupi G

C. Zvezda – Young Boys (21:00)

Leipzig – Man. City (21:00)

Grupi H

Antwerp – Shakhtar D. (18:45)

Porto – Barcelona (21:00)