Sport

“Tiki-taka” e PSG-së ekspozohet pasi Enrique dështoi në testin ndaj Newcastlet

Edhe pse Paris Saint-Germaini ka pasur një stil të qartë loje këtë sezon, kampioni i Francës dukej plotësisht i humbur kur erdhi puna për të përballuar presionin me intensitet të lartë të Newcastle Unitedit. Ekipi anglez ishte i papërmbajtshëm në duelin e Ligës së Kampionëve të luajtur të mërkurën mbrëma në stadiumin “St James’ Park”, të cilin e fitoi me rezultatin e thellë 4:1. Ky rezultat e la Parisin me vetëm tri pikë nga dy ndeshje në Grupin F të Championsit dhe me pyetje për t’iu përgjigjur sa u përket karakterit dhe mungesës së “planit B”. PSG-ja filloi ndeshjen me një sistem jashtëzakonisht sulmues - Manuel Ugarte dhe Warren Zaire-Emery ishin dy mesfushorët e vetëm të duhur pas kuartetit sulmues që përbëhej nga Kylian Mbappe, Goncalo Ramos, Ousmane Dembele dhe Randall Kolo Muani. Ata nuk arritën të përballonin “tërbimin” e Newcastlet dhe u mposhtën shumë shpejt.

“Ata na vunë në vështirësi në mesfushë, ku ishin më të shumtë. Nuk ishte e lehtë", tha mbrojtësi Lucas Hernandez, i cili shënoi golin e vetëm për Parisin ndaj Newcastlet.

Parisi e mbylli pjesën e parë në disavantazh 2:0, pasi kishte kërcënuar vetëm me Dembelen, që pa dyshim kishte nevojë për më shumë kontroll në mesfushë. Ndërsa situata duhet të kishte shtyrë trajnerin Enrique të bënte rregullime në pushim, ishin të njëjtit 11 lojtarë që filluan pjesën e dytë dhe PSG-ja pësoi një tjetër gol në minutën e 50-të.

Skuadra franceze kishte pothuajse 70 për qind të posedimit të topit, por nuk ishte në gjendje të krijonte raste të rrezikshme dhe bëri disa gabime të mëdha, me reagimin e dobët të mbrojtësit Marquinhos që çoi në golin e Miguel Almironin, me të cilin u zhbllokua rezultati.

“Unë jam përgjegjës për këtë rezultat”, tha Enrique, pa dhënë një shpjegim më të plotë.

Ndërsa ai vlerësoi qëndrimin e lojtarëve, katërshja e sulmit nuk arriti të ushtronte presion ndaj mbrojtjes së Newcastlet, ndërsa Ugarte nuk ishte kurrë në kombinim në mesfushë, me vetëm Warren Zaire-Emeryn mundohej të bënte diçka më shumë.

“Nuk e di se ku janë problemet, por ne do ta analizojmë përfundimisht këtë paraqitje për t’u përmirësuar për ndeshjet e tjera që na presin”, pranoi mesfushori Zaire-Emery.

Ndeshja e radhës e PSG-së në Ligën e Kampionëve është kundër skuadrës së Milanit në stadiumin “Parc des Princes” dhe mbrojtësi Hernandez tha se duhet të “mësojmë nga gabimet tona”. Kjo ndeshje zhvillohet më 25 tetor, ndërsa pjesë e këtij grupi është edhe Borussia Dortmundi. Milani ka dy pikë, Dortmundi vetëm 1, ndërsa Newcastle është lider me 4 pikë të mbledhura.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për rolin tonë që duhet të luajmë”, pranoi Hernandez. “Dhe na takon ne ta shfaqim atë në fushë, jo para kamerave dhe mikrofonave”.

Enrique mori drejtimin e Parisit para fillimit të këtij sezoni, me synimin për të aplikuar një lojë të bukur, duke e dominuar kundërshtarin me posedim të topit dhe duke krijuar raste të shumta shënimi. Në të vërtetë, teknikut spanjoll iu kërkua të implementonte “tiki-takan” e famshme të Barcelonës, ekip që e kishte udhëhequr për tre vjet dhe nuk i kishin munguar sukseset. Ish-selektori i Spanjës te Parisi e zëvendësoi Christophe Galtierin e shkarkuar, por deri më tani “tiki-taka” e Enriques nuk po jep rezultate as në Champions dhe as në Ligue 1. Në kampionat, Parisi ka regjistruar 3 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje në 7 ndeshje të luajtura, duke u renditur në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë.