Trajneri Eddie Howe ka paralajmëruar rivalët e Newcastle Unitedit në Premier League se klubi i tij nuk ka asnjë problem për të zënë vendin e ndonjë ekipi tjetër në top-katërshe.
Ngritja mbresëlënëse e Newcastle Unitedit në vendin e katërt në Premier League është nxitur nga menaxhimi i zgjuar i trajnerit Howe dhe forca financiare e pronarëve të klubit të mbështetur nga Arabia Saudite.
Newcastlen të shtunën e pret ndeshja me Liverpoolin, që nuk po ka edicion të mirë. Skuadra e Liverpoolit aktualisht zë vendin e nëntë në tabelë. Ndeshja në “St James’ Park” luhet prej orës 18:30 dhe i takon xhiros së 24-t.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, u ankua për humbjen e kohës nga ana Newcastlet gjatë takimit në fillim të këtij sezoni. Klopp që atëherë ka kritikuar vazhdimisht fuqinë shpenzuese të ekipit të trajnerit Howe.
Por Howe e bëri të qartë se ekipi i tij nuk është aty për t'u pëlqyer. Insistoi se fokusi i vetëm i Newcastlet është ta fitojë secilën ndeshje deri në fund të sezonit, pavarësisht kundërshtarit.
Edhe
Howe shpreson që ta fitojë trofeun e parë me Newcastlen
“Ne nuk jemi këtu për të bërë asgjë tjetër përveçse të përpiqemi të fitojmë ndeshjet në ligën në të cilën po luajmë. Nuk duam të jemi skuadra që të gjithë e shikojnë dhe mendojnë se jemi humbës të mirë. Në duam të jemi fitues dhe të irritojmë të gjithë rivalët në Premier League”, insistoi Howe.
“Kjo është ajo që unë po përpiqem të rrënjos te lojtarët çdo ditë. Unë dua të ndërtoj një mentalitet dhe kulturë fituese. Jemi në vendin e katërt, por synimet i kemi më të mëdha. Nuk me intereson nëse njerëzit flasin për fuqinë tonë financiare, pasi ne po punojmë dhe jemi të fokusuar në fushë”.
Newcastle do të kërkojë hakmarrje ndaj Liverpoolit pas humbjes 2:1 që e pësoi në stadiumin “Anfield Road” në gusht të vitit të shkuar, falë golit të Fabio Carvalhos në minutën e tetë të kohës shtesë.
Kjo disfatë ishte e fundit e Newcastle Unitedit në Premier League pasi filloi një seri prej 17 ndeshjesh pa humbje dhe Howe është i vendosur të vazhdojë atë.
“Unë nuk kam nevojë për ndonjë kujtim se sa e dhimbshme është humbja. Unë e kam shijuar humbjen për pjesën më të madhe të karrierës sime dhe e urreja atë ndjenjë. Kështu që te Newcastle duam të vazhdojmë pa humbje”, u shpreh Howe. “Ne do të përpiqemi që të qëndrojmë sa më gjatë larg ndjenjës së humbjes dhe për aq kohë sa të jetë e mundur”.
Edhe
Newcastle synon ta ndalë PSG-në në Champions
Te Liverpooli në këtë ndeshje në formacionin titullar do të kthehet mbrojtësi Virgil van Dijk, i cili mungoi për një muaj shkaku i lëndimit të këmbës. Kthimin e holandezit në përbërje e ka konfirmuar trajneri Juergen Klopp, të premten. Klopp pranoi se Liverpoolin e pret një ndeshje e vështirë ndaj Newcastlet.
“Është ndeshje e madhe dhe aspak e lehtë. Newcastle ka mbrojtjen më të mirë në ligë dhe humbjen e fundit ia shkaktuam ne. Mundësitë financiare që i ka Newcastle e kanë kthyer fuqishëm këtë sezon, por nuk duhet lënë anash as punën e mirë që trajneri Howe po e bën”, pranoi Klopp.