Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

City pret Newcastlein, Unitedi mysafir i Liverpoolit

Skuadrat nga qyteti i Manchesterit, City dhe Unitedi, do të kenë teste të vështira këtë vikend në kuadër të xhiros së 26-të të Premier Leagues. Kampioni në fuqi, Manchester City e pret Newcastle Unitedin, ekip që të dielën e shkuar u mposht nga Manchester Unitedi në finalen e Kupës së Ligës. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 13:30 në “Etihad Stadium” dhe është e para e kësaj xhiroje.

City në këtë duel futet pas një serie prej tri fitoreve dhe një barazimi në katër ndeshjet e fundit, ndërsa do ta kërkojë triumfin për të mos lejuar edhe më shumë shkëputjen e Arsenalit. Arsenali është lider me 60 pikë të mbledhura, pesë më shumë se City që zë vendin e dytë. Newcastle Unitedi nuk është në formë të mirë në xhirot e fundit, ku krahas humbjes nga Manchester Unitedi ka një seri prej tri barazimeve dhe një disfate në kampionat. Newcastle është në vendin e pestë në tabelë me 41 pikë të mbledhura dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara se City.

Për dallim prej Cityt, Arsenali do të ketë punë më të lehtë pasi të shtunën e pret në shtëpi skuadrën e Bournemouthit. Ndërkohë, Manchester Unitedi pas trofeut të parë që nga viti 2017 që e fitoi javën e shkuar, do të ketë punë me skuadrën e Liverpoolit. Derbi mes Liverpoolit dhe Unitedit zhvillohet të dielën prej orës 17:30 në stadiumin “Anfield Road”. Për ekipin e trajnerit Erik ten Hag, ky do të jetë një prej testeve më të forta në këtë vit, duke pasur parasysh se Liverpooli gradualisht po ngjitet në tabelë. Unitedi është i treti me 49 pikë dhe në katër ndeshjet e fundit kampionale është në seri prej tri fitoreve dhe një barazim. Ndërkohë, Liverpooli është ngjitur në pozitën e gjashtë në tabelë dhe po lufton për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër. Aktualisht, skuadra e Juergen Kloppit është vetëm gjashtë pikë larg vendit të katërt, të cilin e mbanë Tottenhami, me një ndeshje më shumë të luajtur.