Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dy derbi në Premier League

Pas ndeshjeve të raundit të tretë të Kupës FA rikthehet Premier League me xhiron e 21-të që do të zhvillohet gjatë vikendit. Në këtë xhiro ka shumë duele interesante, por në dy prej tyre do të jetë vëmendja më e madhe, ku njëra luhet të shtunën dhe tjetra të dielën.

Të shtunën prej orës 18:30, Newcastle Unitedi e pret kampionin në fuqi, Manchester City. Skuadra e Newcastlet do të mundohet të rikthehet te rezultatet pozitive pas serisë negative që e ka pasur në xhirot e fundit. Në fakt, Newcastle i ka humbur tri ndeshjet e fundit në kampionat dhe ka rënë në pozitën e nëntë në tabelë me 29 pikë. City, në anën tjetër ka 40 pikë të mbledhura dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Po ashtu, është në seri pozitive pasi në katër ndeshjet e fundit kampionale ka tri fitore e një barazim.

Ndërkohë, ndeshja tjetër është ajo ndërmjet Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, e cila zhvillohet të dielën dhe nis në orën 17:30. Unitedi do të synojë që në këtë përballje ta regjistrojë fitoren e dytë në gjashtë ndeshjet e fundit, ku i ka edhe tri humbje e një barazim. Është i teti në tabelë me 31 pikë, tetë më pak se Tottenhami që zë vendin e pestë dhe në pesë ndeshjet e fundit ka vetëm një humbje karshi katër fitoreve.

Në fakt, në këtë xhiro do të luhen vetëm pesë ndeshje në total, pasi duelet e tjera janë shtyrë për javën tjetër shkaku i angazhimit të skuadrave në raundin e katërt të Kupës FA.

Të shtunën, por prej orës 13:00, Chelsea e pret në shtëpi skuadrën e Fulhamit. Ndërkohë, të dielën, do të luhet edhe dueli mes Evertonit dhe Aston Villas, i cili nis prej orës 15:00. Aston Villa ka tubuar 42 pikë, tri më pak se Liverpooli që është lider, ndërsa Evertoni është në pjesën e poshtme të tabelës dhe në këtë ndeshje futet pas serisë prej tri humbjeve.

Artikuj të ngjashëm