Liverpooli e ka shansin që ta kalojë liderin Manchester Cityn në Premier League, nëse të shtunën në ndeshjen hapëse të xhiros së 35-të, e mposht Newcastlen në udhëtim. Ky ballafaqim luhet në orën 13:30.
“Të kuqtë” kanë marrë lajm të mirë pasi trajneri Juergen Klopp është pajtuar ta vazhdojë kontratën, por do të jetë pa sulmuesin Roberto Firmino, i cili vazhdon të ketë problem me lëndimin në këmbë.
Curtis Jones dhe Kostas Tsimikas, të cilët munguan në fitoren e mesjavës ndaj Villarrealit, mund të kthehen në skuadër.
Kloppi synon të vazhdojë pa disfatë në pesë ndeshje rresht në elitën e futbollit anglez në “St James’ Park”, për herën e parë që prej majit të vitit 1969.
Sa për Newcastlen, kjo skuadër është pa fitore në 10 ballafaqimet e fundit me Liverpoolin. Ka katër barazime e gjashtë disfata.
Edhe
Arsenali e City i kthehen garës për titull
Ndërkohë Manchester City takohet me Leeds Unitedin të shtunën në mbrëmje, në orën 18:30.
John Stones dhe Kyle Walker i mungojnë Cityt, ndërsa Joao Cancelo kthehet në formacion pasi në Evropë ishte i suspenduar.
Kampioni në fuqi, City, i ka fituar 12 ndeshje dhe ka barazuar tri herë në udhëtim, qëkur humbi nga Tottenhami në ndeshjen e parë të sezonit.
Ndërkohë, luftë e madhe do bëhet edhe për vendin e katërt.
Arsenali do të luajë me një tjetër skuadër nga Londra.
Të dielën në orën 17:30 e zhvillon ndeshjen e xhiros së 35-të në udhëtim te West Ham Unitedi.
Edhe
Të dielën derbi i madh Liverpool – City
Arsenali e ka humbur vetëm një ndeshje në udhëtim te West Hami në Premier League. Ka tetë fitore e katër barazime, ndërsa humbja e fundit ishte 1:0, në janar të vitit 2019.
Manchester Unitedi e pret Brentfordin, me Cristiano Ronaldon në formë, i cili është përfshirë në 24 gola në 18 ndeshjet e fundit në Premier League, kundër skuadrave të promovuara në ligë.