Të shtunën, nisin ethet e finales të Superligës në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, duke filluar nga ora 19:00, në Pallatin e Sporteve në Prishtinë.
Prishtina në gjysmëfinale eliminoi Yllin me seri 3:0, ndërsa me të njëjtin rezultat edhe Bashkimi e ka eliminuar Rahovecin.
Për kryeqytetasit, kjo është finalja e dytë këtë edicion, pas asaj të Kupës së Kosovës, ku në finale e mposhtën pikërisht Bashkimin.
Në katër përballjet e zhvilluara këtë edicion, ‘bardhekaltrit’ kanë bilanc më të mirë se prizrenasit, duke i mposhtur 3:1.
Por Bashkimi është skuadra e vetme që ka arritur ta mposhtë këtë edicion Prishtinën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, raporton KTV.
Edhe
Të mërkurën gjysmëfinalet e dyta, Trepça e Bashkimi kërkojnë finalen
Sigal Prishtina e ka mbyllur edicionin e rregullt në basketboll në pozitën e parë.
Për prishtinasit kjo është hera e 15-të, që nga paslufta, që arrijnë ta mbyllin sezonin në vendin e parë, një rekord i vendosur nga "bardhekaltrit", në basketbollin e Kosovës.
Kryeqytetasit këtë edicion, në 28 ndeshje kanë realizuar 27 fitore dhe një humbje dhe janë për herë të dytë rresht në Play-Off nga vendi i parë.
Prishtina gjatë kësaj periudhe e ka fituar 11 herë titullin e kampionit të Kosovës, përfshirë edhe katër vjetët e fundit dhe synon titullin e 12-të në histori të klubit.
Për Bashkimin, kjo është vetëm finalja e tretë e “play-offit” në histori të klubit dhe synon titullin e parë që nga paslufta në elitën e basketbollit të Kosovës.
Bashkimi, në tri finalet e “play-offit”, është takuar me Prishtinën në sezonin 2008/09, 2016/17 dhe këtë sezon.
Në vitin 2008/09, Bashkimi ishte mposhtur 3:2 në seri nga Prishtina, ndërsa në edicionin 2016/17 ka humbur 3:1 me ndeshje.
Për “portokallzinjtë” kjo është finalja e tretë këtë sezon, pas finales së Kupës dhe Ligës Ballkanike.
Edhe
Gjysmëfinalja e Kupës, ndeshje interesante pritet në Prizren
Finalja do të luhet në sistemin, një ndeshje në Prishtinë, një në Prizren, kurse bardhekaltrit e kanë epërsinë e terrenit vendas në rast se seria shkon deri në pesë ndeshje.
Kampioni 18 do të shpallet skuadra që arrin tri fitore.