Chicago Bulls është në formë të shkëlqyer dhe e ka fituar edhe ndeshjen e nëntë rresht në ligën NBA. Zach LaVine shënoi 27 pikë në fitoren 130:122 kundër Washington Wizardsit.
Shumë lojtarë të të dyja skuadrave e mbyllën takimin me pikë dyshifrore, por Bulls ishte dominues nga shënimet për tri pikë.
Joel Embiid në duelin tjetër shkëlqeu për Philadelphia 76ers në fitoren 119:100 kundër San Antonio Spursit.
Embiid e mbylli ndeshjen me 31 pikë, 12 kërcime dhe shtatë asistime.
Ishte ndeshja e tij e shtatë rresht që shënon të paktën 30 pikë. Philly e realizoi fitoren e gjashtë të njëpasnjëshme.
Los Angeles Lakers e vazhdoi serinë pozitive. Fitoi për herën e katërt me LeBron Jamesin si lider, i cili realizoi 32 pikë dhe 9 asistime. Lakers mposhti Atlanta Hawks, 134:118.
Toronto Raptors e mundi Utah Jazzin 122:108, ndërsa Fred VanVleet regjistroi “triple-doublen” e parë në karrierë me 37 pikë, 10 kërcime e 10 asistime.
Milwaukee Bucks nuk pati probleme ndaj Brooklyn Netsit. Fitoi me lehtësi 121:109, falë edhe rikthimit të Giannis Antetokounmpos.
Dallas Mavericks triumfoi përballë Houston Rockets 130:106, Minnesota Timberwolves mundi Oklahoma City Thunderin 135:105, kurse Denver Nuggets fitoi ndaj Sacramento Kings, 121:111.
Në Portland, Cleveland Cavaliers i shkaktoi tjetër disfatë Trail Blazersit, pas fitores 114:101.