Sport

Ndonëse me dy mungesa të rëndësishme, Kosova synon fitore ndaj Turqisë

Ndonëse me gjasa minimale për kualifikim dhe me dy mungesa të rëndësishme, Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll kërkon fitore ndaj Turqisë.

Ndeshja Kosovë – Turqi zhvillohet të mërkurën nga ora 19:15 në Prishtinë dhe i takon xhiros së pestë të fazës grupore të kualifikimeve për Botërorin 2023. Kosova po luan në raundin e parë kualifikues, ndërsa në katër ndeshjet e deritashme ka mbledhur vetëm një pikë. I duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë në përshtatje të rezultateve të tjera për të përfunduar e dyta në grup. Vendi i dytë mundëson avancimin tutje.

Në grupin e parë udhëheq Greqia me tetë pikë. Dy ndeshjet me Kosovën, Greqia i ka fituar me një gol dallim. Turqia është e dyta me katër pikë, Belgjika e treta me tri pikë. Ndeshja Greqi – Belgjikë është të enjten, ndërsa të shtunën Kosova luan në udhëtim ndaj Belgjikës. Gara në grup përfundon të dielën kur luhet takimi Turqi – Greqi.

Kosova ka barazuar me Belgjikën, ndërsa me Turqinë kishte humbur me dy gola dallim.

Përfaqësuesja e Kosovës të hënën është kthyer nga Greqia, ndërsa të martën ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen me Turqinë.

Ndaj Turqisë, Kosovës do t’i mungojnë dy prej lojtarëve kryesorë. Beku i parë i majtë, Deniz Terziqi nuk do të jetë në formacion. Përzgjedhësi Bujar Qerimi ka thënë se Terziqi është pezulluar për arsye disiplinore. Vetë Terziqi ka thënë se është larguar nga përfaqësuesja i pakënaqur me hapësirën e dhënë. Ndërkohë Egzon Gjuka, që luan bek dhe qendër, është i lënduar dhe nuk pritet të jetë në formacion.

Përzgjedhësi Qerimi ka thënë se ndeshja me Turqinë është e rëndësishme dhe se lojtarët do të japin më të mirën për të shënuar fitore. Sipas tij, çdo fitore, çdo pikë, është e rëndësishme.