Sport

Kosova e vendosur për fitore në Belgjikë

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të mërkurën tregoi shpirt luftarak dhe mposhti Turqinë. Kjo fitore nuk do të kryente shumë punë nëse Belgjika do ta mposhtte Greqinë një ditë më vonë. Por, falë fitores së grekëve ndaj belgëve me 18 gola dallim, Kosova është ende në garë për ta kaluar me sukses raundin e parë kualifikues për Botërorin 2023.

Kosova të shtunën nga ora 20:15 do të luajë në Hasselt kundër Belgjikës në ndeshjen e fundit të Grupit të parë të raundit të parë kualifikues. Kosovës i duhet fitorja për të mbetur në garë për kualifikim. Pos fitores që të avancojë tutje, i duhet që të dielën Greqia të fitojë në udhëtim ndaj Turqisë.

Përzgjedhësi Bujar Qerimi ka thënë për KOHËN se Kosovës në këto kualifikime i ka munguar fati, pasi hendbollistët kanë shfaqur lojëra të mira gjatë gjithë kampanjës.

Me tri pikë të mbledhura, Kosova renditet e treta pas pesë ndeshjeve. Ka një fitore, një barazim e tri disfata. Turqia është e dyta me katër pikë, ndërsa Belgjika renditet e fundit po ashtu me tri pikë. Greqia tashmë është kualifikuar. Ka 10 pikë.

të parët e grupit avancojnë tutje.

“Fitorja ndaj Turqisë na ka mësuar që mund të shkojmë në Belgjikë dhe të fitojmë. Besoj që tash ndjenjat e lojtarëve janë pak më ndryshe. Kemi fituar ndeshje me diferencë të ngushtë të golave. Duhet të festojmë e të shkojmë në Belgjikë pse jo për t’u ngritur në kuotën e pesë pikëve. Kjo është një kampanjë ku çdo pikë është e mirëseardhur për ne”, ka thënë përzgjedhësi Qerimi.

Fitorja ndaj Turqisë vlerësohet se ishte pikë kthese. Kosova dy ndeshjet nga Greqia i kishte humbur me një gol dallim. Me Belgjikën kishte barazuar, ndërsa në ndeshjen e parë kishte humbur me dy gola nga Turqia. Pra, të gjitha ndeshjet ishin të barabarta.

Kapiteni Valon Dedaj ishte prej më të dalluarve në tri ndeshjet e fundit. Kundër Turqisë shënoi nëntë gola.

“Besoj se me Belgjikën do të luftojmë për plot 60 minuta. Po ashtu, besoj se do të kemi sukses, sepse nuk na mungon vetëbesimi, do të luftojmë në çdo moment edhe atje. Belgjikën kemi pasur mundësi ta mposhtim edhe në vendin tonë, por na mungoi fati. Ndoshta si mysafir do të kemi më shumë fat dhe do ta fitojmë e shpresoj të kualifikohemi për raundin tjetër po ashtu”, theksoi Dedaj.

Lideri i mbrojtjes së Kosovës, Bujar Ramosaj, ka thënë se synimi është fitorja. Sipas shtatlartit, kërkohet kujdes ndaj Belgjikës, që ka ekip mjaft të mirë.

“Pas një ndeshjeje të fortë kundër Turqisë shpresoj që t’i mbyllim kualifikimet me fitore kundër Belgjikës. Edhe pse Belgjika ka ekip mjaft të fortë, mendoj se fitorja kundër Turqisë na ka motivuar shumë. Shpresoj që të luajmë njëjtë edhe kundër Belgjikës dhe të arrijmë fitoren e dytë me radhë në këto kualifikime”, u shpreh Ramosaj.

Kosova të shtunën do të ketë mungesa të rëndësishme në ekip. Shaban Zogaj nuk do të luajë për shkak të lëndimit të rëndë që e pësoi në gju në ndeshjen ndaj Turqisë. Në dyshim mbetet edhe paraqitja e Egzon Gjukës.