Sport

Ndeshja “fatkeqe” për Malokun e Mujën

Tre minuta pasi portieri i skuadrës së Dritës, Faton Maloku, pa dashje lëndoi kapitenin e Trepçës ‘89 Ardian Muja, u lëndua vetë në ndeshjen që dy skuadrat e zhvilluan fundjavën e shkuar në Gjilan. Kjo ndeshje përfundoi pa fitues (1:1), ndërsa ishte “fatkeqe” si për portierin Maloku ashtu edhe për sulmuesin e krahut, Mujën. Muja ka ende shpresë se mund të kthehet në fushë këtë edicion dhe ta ndihmojë ekipin e tij në garën për mbijetesë, ndërsa për Malokun nuk mund të thuhet një gjë e tillë. Muja ka çarë veshkën, por që nuk do të ketë nevojë për operim.

Për Malokun të enjten shpresat u shuan. Maloku e ka përfunduar sezonin para kohe. Klubi nga Gjilani ka njoftuar të enjten se shkaku i lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Trepçës ’89, edicioni është mbyllur për Malokun. Në njoftimin e klubit thuhet se pas ekzaminimeve të fundit është konfirmuar se Maloku ka këputur ligamentin e gjurit dhe do të mbetet për një kohë të gjatë jashtë fushe. Madje, ai javën e ardhshme pritet t’i nënshtrohet operimit. Mungesa e Malokut do të ndihet te Drita që po lufton për titullin e kampionit këtë sezon në Superligën e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri i Dritës, Arsim Thaqi. E mungesën e Malokut në portë te Drita do ta kompensojë Florjan Smakiqi.

“Normal, është mungesë e madhe pasi ka këputur ligamentet. Fatoni është portier me përvojë dhe më vjen keq për lëndimin e tij. E kemi Smakiqin, i cili do ta zëvendësojë Fatonin për pjesën e mbetur të sezonit. Më shumë jemi të preokupuar me lëndimin e tij sesa me mungesën. Fatoni do t’i nënshtrohet operimit, pastaj është faza e rehabilitimit dhe mbetet të shihet kur të kthehet sezonin tjetër. Besojmë edhe te Smakiqi, i cili tash do ta ketë rolin e titullarit. Gjithçka është në rregull në klub sa u përket të gjitha aspekteve, por na mbetet të vazhdojmë dhe të luftojmë deri në fund për ta mbajtur këtë pozitë”, ka thënë trajneri Thaqi për KOHËN të enjten.

Image

Portieri 31-vjeçar ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet, në të cilat ka pasur të drejtë loje. Ai është shtyllë e portës së klubit gjilanas. E shtyllë e klubit në sezonin e aktual për 89-shin ka qenë edhe Muja. Muja të enjten për KOHËN ka treguar se nuk do të ketë nevojë për operim, por që i duhet edhe pak kohë për ta marrë veten para se të rikthehet në fushë për ta ndihmuar ekipin.

“E kam lënduar veshkën, një çarje e vogël, kam pasur gjakderdhje te brendshme por është jashtë rrezikut dhe nuk kam nevojë për operim. Por duhet kohë derisa të rikuperohet. Ende jam në spital nga e diela. Pasi te dal nga spitali po shpresoj që do të kthehem pa përfunduar sezoni, por mbetet të shihet sa do të më mbajnë në spital për shkak se kam dhimbje. Fatoni më lëndoi mua pastaj u lëndua vetë gjatë tentimit për të degazhuar topin. Unë pas lëndimit kam vazhduar të luaj edhe 15 minuta, por vetëm pas ndeshjes kisha dhimbjet e mëdha dhe u dërgova në spital me urgjencë”, ka thënë Muja.

Drita është në vendin e parë me 56 pikë, kurse 89-shi i parafundit me 30 pikë. Këtë vikend, në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll, Drita luan në udhëtim te Dukagjini, kurse Trepça ‘89 e pret në Mitrovicë skuadrën e Llapit.