Altin Gjokaj mban mend shumë gjëra që i kanë ndodhur në karrierë. Të mira kryesisht. Ndër to debutimi me ekipin e parë të Drenicës. Të freskët e ka edhe ftesën që mori nga Shpresat e Kosovës. Por portierit të talentuar, Gjokaj, nuk i kujtohet asgjë nga një moment që i ndodhi 24 orë më parë në fushë të futbollit.
Ai mbeti pa ndjenja për 2-3 minuta pas një dueli që e pati në pjesën e dytë të ndeshjes së juniorëve të Drenicës kundër atyre të Trepçës ’89. Kjo ndeshje u zhvillua të mërkurën, ndërsa të enjten për KOHËN Gjokaj thotë se nuk mban mend asgjë. E kuptoi vetëm pasi kishte parë incizimet e ndeshjes.
“Mbaj mend vetëm momentin kur kam hipur në autoambulancë dhe momentin kur më ka folur babai im në Spitalin e Mitrovicës, derisa jam kthyer në normalitet. Përveç një videoje që e kam parë, asgjë tjetër nuk mbaj mend nga ai moment”, tregon Gjokaj të enjten për KOHËN.
Nga incizimi shihet që Gjokaj mbetet i shtrirë pas një goditjeje në kokë që pati gjatë momentin kur u shënua gol nga një lojtar i Trepçës ’89. Por Gjokaj është i habitur sesi nga një duel i tillë ka mbetur pa ndjenja. Ai thekson se në të kaluarën ka pasur duele edhe më të forta.
“Sipas konstatimeve, goditja ka qenë pas kokës”, thotë Gjokaj.
Ai ka përgëzuar stafin mjekësor të dy skuadrave e po ashtu edhe QKMF-në në Skenderaj dhe Spitalin në Mitrovicë.
“Nuk mbaj mend reagimin ose diçka tjetër. Por i falënderoj sërish mjekët për intervenimin e shpejtë”, ka thënë ai.
Gjokaj ndodhet në shtëpi, ndërsa thotë se ende ka dhimbje të kokës.
“Kjo situatë kaloi vetëm me disa tronditje dhe dhimbje të kokës. Lirshëm nuk mund ta lëvizi as qafën”, ka thënë Gjokaj.
Për Gjokajn, 17-vjeçar, nuk ishte paraqitja e parë me grupmoshën e juniorëve të Drenicës. Ai edhe më herët ka luajtur disa ndeshje. Gjokaj është portier i parë i ekipit të parë të Drenicës, që nuk ka siguruar mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës.
Megjithatë, paraqitjet e portierit Gjokaj janë vlerësuar lart. Prej tij pritet shumë në të ardhmen. Edhe vetë Gjokaj pret të ketë karrierë të madhe.
“Ky sezon besoj se ka mbaruar për mua, por do të kthehem edhe më i fuqishëm”, ka thënë portieri i gjatë 188 centimetra.
Gjokaj debutoi me ekipin e parë të Drenicës në tetor të vitit të kaluar, në ndeshjen Drenica – Malisheva. Ndeshja pati përfunduar pa gola, ndërsa për Gjokajn ishte një fillim i një karriere që synon ta mbyllë me shumë suksese. Kishte vetëm dy javë që i kishte mbushur 16 vjet.
“Kam pasur shumë oferta gjatë verës së vitit të kaluar. Por Drenicën e shikova si mundësi më të mirë për të fituar minuta. E kam pritur rastin, të cilin mendoj se e kam shfrytëzuar në mënyrën më të mirë për t’i treguar vlerat dhe aftësitë e mia si portier”, ka deklaruar Gjokaj, i cili kaloi te Drenica nga skuadra e Besës së Pejës.
Ai u është mirënjohës ish-trajnerit të Drenicës, Bekim Shotani, dhe ish-drejtorit sportiv, Taulant Dajaku. Pas shkëlqimit me Drenicën, Gjokaj mori ftesë për herë të parë edhe nga përzgjedhësi i ekipit U21 të Kosovës, Afrim Tovërlani për grumbullimin në Antalia në muajin mars. Gjokaj e vlerëson si hap të madh drejt synimeve të mëdha. Madje në dy vjetët e ardhshëm e sheh veten si pjesë e përfaqësueses “A” të Kosovës.
“Kam qenë shumë i lumtur me ftesën. Jam gëzuar shumë edhe për debutimin. Falënderoj trajnerin Tovërlani për mundësinë e dhënë që edhe unë t’i tregoj aftësitë e mia edhe te Kosova. Është privilegj dhe nder të luaj për Kosovën. Në dy vjetët e ardhshëm e shoh veten si pjesë e ekipit të parë të Kosovës”, shprehet ai.
Gjokaj lë të kuptohet se do të jetë pjesë e Drenicës edhe në sezonin e ardhshëm, ku Drenica do të paraqitet në Ligën e Parë.
“Jam ngritur si portier me paraqitjet në ekipin e parë. Kam bërë përvojën e duhur edhe pse në moshe të re. Jam i kënaqur me minutazhën. Shpresoj të luaj edhe më shumë në sezonin e ardhshëm”, ka thënë Gjokaj.