Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Finalisti i dytë i plejofit caktohet të dielën, gjyqtarët pritet të jenë nga Franca

Ka pasur shumë paqartësi rreth terminit të ndeshjes së pestë gjysmëfinale të plejofit mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Deri më tani ndeshjet janë luajtur të enjten e të dielën, por për të enjten e ardhshme salla në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është e zënë me ndeshje të hendbollit. Derisa Sigal Prishtina ka refuzuar të zhvendoset në palestrën “1 Tetori”, Trepça ka refuzuar të luajë të premten e po ashtu të mërkurën.

Sigal Prishtina ka propozuar fillimisht që ndeshja të luhet të premten, që nuk është ditë kur luhen ndeshjet e plejofit. Ndërkohë, sipas FBK-së, kërkesa për të luajtur të mërkurën është bërë me vonesë. Në fakt Trepça ka refuzuar që të luajë edhe të mërkurën. Klubi mitrovicas ka insistuar që ndeshja të luhet sipas terminëve të përcaktuar më herët nga FBK-ja, të enjten apo të dielën. KOHA ka mësuar se klubet nuk kanë arritur pajtueshmëri dhe vendimin e prerë e mori Federata e Basketbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni i Garave.

Që ndeshja të zhvendoset të dielën, sipas FBK-së kanë ndikuar: kërkesa e Prishtinës që gjysmëfinalja e pestë të shtyhet, kërkesa e klubeve që ndeshjet e plejofit të luhen me gjyqtarë të huaj, mirëkuptimi i FBK-së për ndeshjen ndërkombëtare në hendboll, mungesa e gatishmërisë së Trepçës që ta zhvillojë ndeshjen jashtë terminëve të parapar me propozicione të garave, mungesa e gatishmërisë së klubeve që të pajtohen për terminin e ndeshjes së shtyrë, gatishmëria e FBK-së që të mund të sigurojë gjyqtarë të huaj.

Gjyqtarët e huaj me shumë mundësi do të jenë nga Franca.

Nëse ndeshja do të luhej të mërkurën, të enjten apo të premten, gjasat do të ishin të mëdha që gjyqtarët e huaj të mos sigurohen.

Edhe Të mërkurën finalja e dytë në “Minatori” Basketboll 2 muaj më parë Të mërkurën finalja e dytë në “Minatori”

Tashmë në finale është Peja, që mund të përgatitet më gjatë për ndeshjen e parë. Por Peja të premten luan ndeshje të fazës finale në Ligën Ballkanike.

Deri më tani Prishtina ka fituar ndeshjet në shtëpi e po ashtu Trepça ndeshjet në shtëpi. Rezultati është 2:2 dhe ndeshja e pestë do ta përcaktojë finalistin.