Gjyqtarë nga Franca dhe Hungaria do ta drejtojnë ndeshjen e pestë gjysmëfinale të plejofit ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Kjo përballje e përcakton skuadrën finaliste të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll, ndërsa të dielën do të zhvillohet në kryeqytet dhe nis në orën 17:15. Pas katër ndeshjeve të luajtura deri më tani në serinë gjysmëfinale mes këtyre dy ekipeve, rezultati është 2:2. Skuadra që avancon tutje, në finale do të përballet me Pejën.
Ndërsa në serinë finale ku kampioni përcaktohet me tri ndeshje të fituara, do të ketë gjyqtarë të huaj të angazhuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Megjithatë, gjyqtarët do të ndërrohen në secilën ndeshje të kësaj serie.
“Në ndeshjen e pestë në mes Prishtinës dhe Trepçës do të jenë gjyqtarë nga Franca dhe Hungaria. Pastaj do të ndryshojnë për finale. Pra, do të ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Do të ketë edhe gjyqtarë të vendeve të tjera, jo vetëm të Francës dhe Hungarisë”, ka thënë një zyrtar i lartë i FBK-së në kushte anonimiteti për KOHËN të enjten.
Në fakt, ka pasur shumë paqartësi rreth terminit të ndeshjes së pestë gjysmëfinale të plejofit mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës. FBK-ja, saktësisht Komisari i Garave, mori vendimin përfundimtar për terminin e ndeshjes së pestë. Vendosi për të dielën. Nëse ndeshja do të luhej të mërkurën, të enjten apo të premten, gjasat do të ishin të mëdha që gjyqtarët e huaj të mos siguroheshin nga FBK-ja. FBK-ja, në koordinim me klubet, vendosi për arbitra të huaj për gjysmëfinale dhe finale të plejofit, për të zvogëluar numrin e vërejtjeve të klubeve për ndarjen e drejtësisë, por kjo solli situatë të re.
Të shtunën e shkuar Sigal Prishtina përmes një komunikate ka shkruar se ka parandaluar kurdisjen e ndeshjes me Trepçën, që u luajt të enjten në kryeqytet. Kjo ndeshje është dashur të drejtohej prej dy arbitrave nga Greqia dhe një nga Kosova. Por në ditën e ndeshjes arbitrat grekë u larguan dhe u zëvendësuan me gjyqtarët vendorë. Sipas Prishtinës, në natën para ndeshjes një person i ka futur në veturë dy referët grekë dhe u ka ofruar ryshfet për ta manipuluar ndeshjen në favor të Trepçës.
Megjithatë, Trepça ka insistuar se nuk është e përfshirë dhe ka kërkuar hetime të detajuara për këtë rast. Ndërkohë, nga një letër interne që kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ua ka dërguar anëtarëve të Bordit të FBK-së, mund të kuptohet që tentimi për kurdisje ishte më shumë i orientuar drejt përfitimeve ilegale përmes basteve sesa për të favorizuar njërën skuadër apo tjetrën.