Sport

Ndeshja e lavdisë, kur kampionia e Evropës ra në Tiranë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka luajtur në Evropianin e kaluar. Ndër vite është përballur me përfaqësueset më të mëdha të kontinentit. Në raste ka arritur edhe rezultate të mira. Ka shënuar edhe fitore.

Në kujtesë të tifozëve të shumtë të Kombëtares së Shqipërisë janë plot paraqitje të mëdha të “kuqezinjve”. Por, një prej ndeshjeve që ofron krenarinë më të madhe është ajo e luajtur ne fundin e verës së vitit 2004.

Përballë të përzgjedhurve të Hans-Peter Briegelit ishte Greqia, një prej kundërshtareve të Kosovës në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Greqia tani është përfaqësuese mesatare evropiane. Luan në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është niveli i tretë prej katër sa janë gjithsej.

Në vitin 2004 ishte në një nivel krejt tjetër. Kishte shkaktuar befasi të madhe, duke triumfuar Evropianin e mbajtur në Portugali.

Ndeshja e 4 shtatorit në “Qemal Stafa” ishte e para zyrtare e grekëve pas kampanjës triumfuese në Evropian. Greqia si kampione evropiane dhe favorite absolute në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Botërorin 2006. Por, Shqipëria kishte plane të tjera. E shokoi Greqinë, duke e mposhtur 2:1. Pati festë të madhe atë ditë në gjithë Shqipërinë, por edhe në Kosovë dhe çdo vend ku jetojnë shqiptarët. Interesimi për ndeshjen ishte i jashtëzakonshëm. Stadiumi ishte i stërmbushur me shikues. Përkrahja ndaj lojtarëve ishte shembullore.

Që në minutën e dytë, Edvin Murati realizoi për epërsinë e hershme të Kombëtares shqiptare. Stadiumi "mori zjarr" edhe më shumë kur në minutën e 11-të; Adrian Aliaj shënoi supergol nga një goditje dënimi. Ishte një “perlë” nga Aliaj, që vazhdon të jetë prej golave më të dashur për tifozët. Tifozëria shpërtheu në festë, ndërsa rikthimi i grekëve ishte i pamundur. Greqia ngushtoi rezultatin në 2:1, por nuk shkoi më tutje. Festa vazhdoi deri në orët e mëngjesit. Shqiptarët u bashkuan rreth ekipit të futbollit.

Kontributin e tyre në këtë moment mburrjeje e dhanë edhe Besnik Hasi e Lorik Cana, që startuan te Shqipëria, por edhe Mehmet Dragusha që u aktivizua në pjesën e dytë... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)