Ndeshja e së mërkurës mes Barcelonës dhe Dinamo Kievit në Ligën e Kampionëve të Grupit C, ka mundësi të anulohet. Kjo për arsye të shpërthimit të koronavirusit në skuadrën ukrainase.
Vetëm 13 futbollistë janë nisur drejt Spanjës për ndeshje, ndërsa ky është numri minimal i vendosur nga protokollet shëndetësore të UEFA-s. Mirëpo, në rast se edhe një lojtar rezulton pozitiv me koronavirus, ndeshja do duhet të shtyhet, shkruan Dailymail.
Në rast se ndonjë lojtar del të jetë i infektuar, ndeshja duhet të shtyhet dhe të caktohet një datë e re, para 28 janarit, e cila mund të jetë vështirë e planifikuar për shkak të kalendarit të ngarkuar.
Lojtarët e infektuar me koronavirus në skuadrën ukrainase janë Nikolai Shaparenko, Alexandr Karavaev, Gueorgui Tsitaishvili, Denis Garmash, Mikkel Duelund dhe Tudor Baluta.
Përveç kësaj, ndihmësi i trajnerit Emil Karas dhe katër anëtarë të tjerë të stafit të dhomës së pasme kanë rezultuar pozitivisht.