Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Katër duele në Serie A nuk luhen për shkak të koronavirusit

Të paktën katër nga dhjetë ndeshjet e xhiros së 20 në Serie A të planifikuara për ditën e sotme nuk do të zhvillohen pasi autoritetet lokale shëndetësore urdhëruan skuadrat të futen në karantinë mes rasteve në rritje të koronavirusit.

Ndeshjet e prekura deri më tani janë: Bologna - Inter, Atalanta - Torino, Fiorentina - Udinese dhe Salernitana – Venezia. Urdhrat për karantinë erdhën nga autoritetet në Bologna, Torino, Udine dhe Salerno.

Skuadra e Bolognas ka tetë lojtarë që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19; Torino ka gjashtë lojtarë pozitivë plus dy anëtarë të stafit; Udinese ka shtatë lojtarë pozitivë plus dy anëtarë të stafit dhe Salernitana ka nëntë lojtarë pozitivë dhe dy anëtarë të stafit.

Ndeshja e Napolit në udhëtim te Juventusi është planifikuar ende të zhvillohet, pavarësisht se Napoli raportoi shtatë lojtarë pozitivë dhe tre anëtarë të stafit - përfshirë trajnerin Luciano Spalletti. Në total, më shumë se 70 lojtarë në ligë janë pozitivë.

Zyrtarët e Ligës u takuan të mërkurën vonë dhe vendosën që të gjitha ndeshjet të luhen. Pra, asnjë nga ndeshjet nuk është shtyrë zyrtarisht. Kjo do të thotë se skuadrat si Interi, Atalanta, Fiorentina dhe Venezia mund të shfaqen ende në ndeshjet që e dinë se nuk do të luhen. Në fakt, ato do të dalin në fushë, do të kryejnë ngrohjen sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe pas 45 minutave të pritej se kundërshtarit të shfaqet, ndeshja do të anulohet.

Më pas, autoritetet ka të ngjarë të kalojnë një proces të gjatë ligjor për të vendosur mbi statusin e ndeshjeve të prekura dhe nëse ato duhet të shtyhen për një datë të mëvonshme. Ndeshjet e ditës së sotme, shënojnë rikthimin e Serisë A pas një pauze dy javore. Një tjetër listë e plotë prej dhjetë ndeshjesh është planifikuar për të dielën kur do të luhet xhiroja e radhës. Kapacitetet e stadiumeve janë reduktuar nga 75 në 50 për qind pas një vendimi të qeverisë që synon të luftojë shpërthimin e fundit të koronavirusit dhe spektatorët tani duhet të mbajnë maska FFP2.