Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Anulohet ndeshja Lazio – Torino shkaku i rasteve me koronavirus

Ndeshja ndërmjet Lazios dhe Torinos, e paraparë të zhvillohet të martën nga ora 18:30, është anuluar.

Ekipi i Lazios dhe gjyqtarët e ndeshjes kanë mbërritur në stadiumin “Olimpico”, por skuadra e Torinos nuk udhëtoi fare drejt Romës.

Autoritetet shëndetësore lokale nuk lejuan udhëtimin e Torinos drejt Romës pas dhjetë rasteve pozitive me koronavirus.

Ekipi torinez do të jetë në karantinë deri në këtë mesnatë, kur edhe kalon koha e paraparë për karantinim.

Liga italiane nuk ka vendosur që kjo ndeshje të shtyhet, andaj mbetet të shihet se çfarë vendimi do të merret.

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë për mediat italiane se nuk kanë marrë asnjë njoftim se ndeshja është shtyrë.

Edhe Katër duele në Serie A nuk luhen për shkak të koronavirusit Sport Katër duele në Serie A nuk luhen për shkak të koronavirusit

Sipas tij, Lazio ka respektuar orarin e ndeshjes dhe u mbetet institucioneve kompetente që të merren me këtë rast, duke aluduar se ndeshja të regjistrohet në favor të Lazios 3:0.

"Ne i respektuam rregullat, respektuam protokollin dhe erdhëm në stadium. Do të qëndrojmë për 45 minuta dhe pastaj janë autoritetet që vendosin. Nuk dua të krijoj polemika”, tha Tare, i cili mohoi se u është kërkuar që ndeshja të luhet të mërkurën.

Për shkak të rasteve pozitive me COVID-19, Torino nuk e zhvilloi as ndeshjen e së premtes ndaj Sassuolos.