Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ekipi U19 i Dynamo Kievit po synon ta shkruajë historinë e sportit ukrainas

Futbollistët e rinj të Dynamo Kievit janë në Bukuresht për t’u përballur me Sportingun e Lisbonës, në atë që do të jetë ndeshje e parë zyrtare e luajtur nga një ekip i Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë. Ndonëse është një ndeshje me dy skuadra të të rinjve që luhet në Rumani, mund të mos duket si e veçantë. Mirëpo, të enjten kjo përballje do të jetë më shumë sesa thjesht një ndeshje futbolli. Ekipi U19 i Dynamos po luan në 1/8 e finales të Ligës së të Rinjve të UEFA-s, që do të jetë edhe ndeshja e parë e një skuadre ukrainase që nga data 24 shkurt, kur u pushtua nga Rusia. Lufta mund të ketë nisur më pak se dy muaj më parë, por ndihet si një përjetësi për shkak se askush nuk mund të parashikonte shkallën katastrofike të dëmit të shkaktuar. Aq më pak Dynamo, ekip që një javë para sulmeve të Rusisë u ankua në UEFA për refuzimin e Sportingut të udhëtonte për ta luajtur ndeshjen në Ukrainë. Skuadra portugeze përmendi rritjen e numrit të trupave të Vladimir Putinit që u shfaq në kufi si njërën prej arsyeve kryesore për të mos udhëtuar në Ukrainë.

“Sportingu vendosi të përdorë situatën e vështirë në Ukrainë për t'ia mohuar Dynamos avantazhin në shtëpi”, shkroi uebfaqja ukrainase “Football24” përpara ndeshjes që fillimisht ishte planifikuar të luhej më 1 mars. “Më 14 shkurt ata i shkruan UEFA-s duke thënë se nuk do të shkojnë në Kiev, duke e bazuar vendimin në rekomandimet e Ministrisë së Jashtme të Portugalisë dhe Ambasadës Portugeze në Ukrainë. Dynamo insiston të luajë në Kiev, ose të paktën në Lviv”.

Siç ndodhi, UEFA insistoi që ndeshja të luhej në Kiev dhe e caktoi një termin tjetër më datën 9 mars.

Ky njoftim erdhi më datën 23 shkurt. Disa orë më vonë ai doli të ishte krejtësisht i parëndësishëm.

Dhe ndërsa u vërtetua se Sportingu kishte të drejtë për shqetësime, i gjithë debati se kur dhe ku duhet të luhej ndeshja nuk ka rëndësi tani. Paqja është objektivi kryesor, por përpjekja për ta bërë jetën sa më normale që të jetë e mundur për popullin e Ukrainës do të ndihmojë në ruajtjen e moralit ndërkohë.

Edhe Kampioni i Ukrainës nëpërmjet futbollit nis përhapjen e historisë së pikëllimit dhe shpresës Sport Kampioni i Ukrainës nëpërmjet futbollit nis përhapjen e historisë së pikëllimit dhe shpresës

Futbolli pra ka mundësinë të ofrojë një paraqitje të shkurtër të normalitetit edhe nëse kampioni i shtetit për këtë gjeneratë e gjen veten mbi 900 kilometra larg shtëpisë. Kur filloi lufta, trajneri veteran i Dynamos, rumuni Mircea Lucescu, filloi negociatat me zyrtarë të shumtë kryesorë në atdheun e tij, në mënyrë që t'i mundësonte atij dhe lojtarëve të tij të kalonin atje. Misioni i tij rezultoi i suksesshëm dhe në fillim të prillit skuadra e parë e Dynamos filloi stërvitjen në Bukuresht, përpara një serie miqësore të profilit të lartë kundër skuadrave si Barcelona dhe Paris Saint-Germain, me të gjitha të ardhurat që do të dhuroheshin për Ukrainë. Megjithatë, skuadra U19 u transferua në Rumani edhe më herët, në mes të marsit. Të ndihmuar nga pronari i ekipit FCSB, Gigi Becali, ky u ofroi atyre akomodim dhe ambiente stërvitore. Kjo bëri që ekipi të fillojë përgatitjet për një ndeshje kundër Sportingut që ka marrë papritur një rëndësi të paimagjinueshme.

“Nuk ishte e lehtë për të mbledhur ekipin, sepse në fillim të luftës lojtarët nuk ishin vetëm në Kiev, por edhe në Poltava, Cherkasy dhe rajone të tjera të Ukrainës”, tha drejtori i përgjithshëm i Dynamos, Serhiy Mokhnyk. “Ne do të bëjmë çmos që futbollistët e rinj, të cilët janë e ardhmja e klubit tonë, të justifikojnë besimin e dhënë ndaj tyre dhe të përfaqësojnë me dinjitet Ukrainën. Lojtarët po përgatiten për ndeshjen e ardhshme me shumë zell dhe motivim. Ata janë mirënjohës për mundësinë për të luftuar dhe mbrojtur nderin e Ukrainës në fushën e tyre të betejës - në fushën e futbollit. Lojtarët e rinj të Dynamos po përpiqen ta luajnë këtë ndeshje për të gjithë bashkatdhetarët e tyre dhe do të bëjnë më të mirën për të fituar, në mënyrë që t'i japin Ukrainës të paktën një moment të vogël gëzimi dhe krenarie sportive në kohërat e errëta të luftës”.

Dynamo sigurisht që është në gjendje të arrijë një fitore. Fitoi 4:0 si mysafir ndaj Bayernit dhe 4-1 në shtëpi ndaj Barcelonës në fazën e grupeve, me vetëm katër lojtarë që kanë realizuar më shumë gola sesa pesë të shënuar nga sulmuesi senegalez Samba Diallo, i cili po krahasohet me Sadio Manen. Që nga ardhja e tyre në Rumani, Lucescu ka asistuar personalisht trajnerin e ekipit U19, Ihor Kostyuk dhe ka ndjekur të gjitha seancat stërvitore të skuadrës, ndërsa ishin luajtur edhe dy ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve rumunë, me Dynamon që shënonte pesë gola në çdo lojë. Tani ata janë gati për provën e madhe, e cila do të zhvillohet në stadiumin e sapohapur “Giulesti”, shtëpia e Rapid Bukureshtit.

Lucescu, i cili kishte dy periudha si trajner te Rapid në vitet 1990, ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes më 26 mars para mijëra tifozëve, të cilët u ngritën në këmbë për të duartrokitur mysafirët e tyre të nderit, lojtarët e Dynamo Kievit. Dynamo shpreson që vendasit të vijnë dhe t'i mbështesin të enjten, ndërsa Sportingu gjendet në pozicionin e çuditshëm për të fituar një ndeshje që pothuajse të gjithë ata që e shikojnë do të shpresojnë të humbë.

Edhe 2 Korriku U19 synon fitore ndaj Dynamo Kyivit Futboll 2 Korriku U19 synon fitore ndaj Dynamo Kyivit

“Ne e kuptojmë rëndësinë e momentit”, tha trajneri i Sportingut, Filipe Pedro. “Është shumë më tepër se një ndeshje. Megjithatë, qëllimi ynë është të kualifikohemi dhe lojtarët janë të fokusuar në këtë. Te Dynamo janë krenarë që përfaqësojnë vendin e tyre, por ne gjithashtu kemi shumë ambicie”.

Të gjithë sytë pra do të jenë te Bukureshti për atë që papritur doli të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në histori të Ligës Rinore të UEFA-s.