Sport

Kampioni i Ukrainës nëpërmjet futbollit nis përhapjen e historisë së pikëllimit dhe shpresës

Kur bombat e para ruse shpërthyen pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe qyteteve të tjera anembanë vendit në orët e para të datës 24 shkurt, futbolli nuk kishte më rëndësi. Por tani, gati dy muaj pas fillimit të luftës, loja mund të ndihmojë në shërimin e një kombi të gjakosur. Dynamo Kyivi, klubi më i famshëm i vendit, doli me një plan. Ata kërkuan miratimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të udhëtuar në Evropë dhe për të dërguar mesazhin e paqes në të gjithë kontinentin. Futbolli është kanali që ata duan të përdorin për t'u treguar njerëzve një histori për pikëllimin dhe shpresën, mirënjohjen që ata ndiejnë për dyert e hapura që gjetën jashtë vendit dhe tërbimin e tyre kundër tmerreve të lëna pas nga pushtuesit. Teksa përgatitet për stërvitje në Bukuresht të Rumanisë, ku lojtarët e Dinamos janë vendosur pas udhëtimit të tyre nga Ukraina, trajneri rumun, Mircea Lucescu, nuk mund të përballojë luksin e të qeshurit. Ende jo. Në moshën 76-vjeçare, ai është trajneri më i vjetër ende aktiv në futbollin evropian të nivelit të lartë, por është i palodhur. Përveç katër të huajve në skuadrën e Dinamos që gjetën marrëveshje afatshkurtra gjetkë pas fillimit të luftës, Lucescu ka me vete të gjithë lojtarët e tij. Gjatë 50 ditëve të fundit, trajneri dhe ndihmësit e tij kanë kaluar nga rregullimi i autobusëve për njerëzit që ikin nga lufta, në zhvendosjen e familjeve të panumërta dhe duke ndihmuar gratë shtatzëna të lojtarëve të gjejnë mjekë për t'u kujdesur për to.

Ata po stërviten me këmbët e tyre në Bukuresht, por zemrat e tyre janë në Ukrainë. Stërvitja zgjat më shumë se një orë. Lucescu vëzhgon nga afër nga anash, me detajet më të vogla nën vëzhgim. Nuk ka të bërtitura, nuk ka shaka të rastësishme siç ndodh pothuajse në mënyrë të pamenduar gjatë shumicës së stërvitjeve të futbollit. Heshtja prishet nga komandat e shkurtra të stafit stërvitor. Kjo është mënyra normale e komunikimit të Lucescut dhe i kujton të gjithëve se si ka qenë para fillimit të luftës.

“Stabiliteti emocional dhe mendor është gjëja më e rëndësishme për këta djem tani. Përpiqem të veproj siç bëj gjithmonë. Këto orë që kalojmë së bashku janë shumë të rëndësishme për ta. Është e vetmja kohë e ditës kur ata mund të fokusohen në gjëra të tjera, përveç luftës në shtëpi”, thotë Lucescu, ndërsa lojtarët hipin në autobusin e ekipit pasi të mbarojnë stërvitjet. “Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur në botë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Situata është ekstreme. Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta ose si do të evoluojnë gjërat. Është e rëndësishme që t'i mbajmë gjallë shpresat tona dhe të bëjmë një deklaratë me misionin tonë në Evropë”.

Në vitin 2014, kur ai drejtonte rivalët e vjetër të Dynamos, Shakhtar Donetskun, Lucescu u detyrua të lëvizte me të gjithë ekipin pas luftimeve të para në rajonin e Donbasit. Ai kurrë nuk priste që Rusia ta pushtonte atë rajon.

“Kam lënë shumë gjëra në Donetsk”, kujton ai. “Ndeshjet, dosjet, netët e Championsit dhe duelet derbi në ‘Donbas Arena’. Kur u larguam nga qyteti, nuk e imagjinoja kurrë që nuk do të kthehesha”.

Mst: Rruga e gjatë drejt sigurisë

Kur bombardimi i parë ndodhi në shkurt, Lucescu mendoi se kishte goditur një stuhi.

“U zgjova në mes të natës duke menduar se kishte një stuhi jashtë. U ktheva për të fjetur dhe mora vesh në mëngjes për bombardimet. Nuk e prisja kurrë, u trondita”, thotë ai.

Trajneri refuzoi të largohej nga Kievi në ditët e para të luftës, por mesazhet nga ambasadat e huaja e kërkuan atë. Pas një udhëtimi 17-të orësh, ai arriti në kufirin rumun. Konsulenti i klubit të Dynamo Kyivit, Arcadie Zaporojanu, mbajti kontakte të rregullta me pronarin, Ihor Surkis, si dhe me lojtarët dhe familjet e tyre. Së bashku me Lucescun, ai organizoi dy autobusë për t'i çuar të afërmit e lojtarëve jashtë zonës së luftës dhe për t'i dërguar në Rumaninë fqinje, një vend ky i sigurt.

“Ishin 82 njerëz për të cilët duhej të kujdeseshim dhe më bën përshtypje solidariteti i treguar në Rumani”, thotë Zaporojanu. “Ishin shumë gra e fëmijë dhe dy burra. Disa nga familjet kishin macet dhe qentë me vete në autobus, aty ishte edhe një papagall. Skenat lanë një gjurmë të fortë tek unë”.

Një nga dy burrat në bord ishte një 87-vjeçar, ndërsa tjetri ishte kapiteni i Dynamo Kyivit dhe Ukrainës, Serhiy Sydorchuk, i cili mund të largohej nga Ukraina edhe me ligjin ushtarak, sepse është baba i tre fëmijëve.

“Në kufirin me Rumaninë na duheshin autobusë të rinj dhe shoferë të rinj, pasi ata që kishim nuk lejoheshin të largoheshin nga vendi. Na duhej të lëviznim shpejt dhe të merrnim disa automjete të reja nga Moldavia. Imagjinoni të lëviznim të gjithë fëmijët dhe kafshët e tyre shtëpiake me të gjitha bagazhet në makina të reja pas një pritjeje kaq të gjatë dhe një udhëtimi kaq të vështirë”, shton Zaporojanu. “Me të mbërritur në Rumani, i vendosëm të gjithë në hotele ose me familje vendase. Por kishte kaq shumë njerëz, nuk është e lehtë t'i kesh diku për një kohë të gjatë. Sinqerisht, unë ende nuk mendoj se kjo është e vërtetë. Ndonjëherë dua ta godas veten me shuplakë dhe të zgjohem nga kjo ëndërr e tmerrshme”.

Mst: Miqësoret për ta përhapur mesazhin e paqes

Vetë presidenti Zelenskyy duhej të firmoste letrën që do t'i lejonte lojtarët e Dynamos të largoheshin nga vendi dhe të fillonin turneun e tyre. I frymëzuar nga veprimet e Dynamos, Shakhtari aplikoi gjithashtu dhe fitoi të drejtën për t'u stërvitur dhe luajtur jashtë vendit. Përveç punës së tyre bamirëse, të dy klubet synojnë të bëjnë gati ndërkombëtarët ukrainas për ndeshjen e plejofit të Kupës së Botës kundër Skocisë më 7 qershor. Nëse fiton në “Hampden Park”, Ukraina do të udhëtojë më pas në Uells për finalen që dërgon në Botërorin e Katarit. Përpara se të transferoheshin në Rumani një javë më parë, lojtarët e Dynamos kampuan në bazën stërvitore të klubit jashtë Kievit dhe më pas u zhvendosën në një vend tjetër në një mal 100 kilometra larg Lvivit. Udhëtimi i tyre në Bukuresht zgjati pothuajse 48 orë.

“Kur Lucescu dhe unë u larguam nga Kievi, ne shikuam në sytë e lojtarëve”, thotë Zaporojanu. “Ne po largoheshim dhe ata po rrinin. Shprehja e syve të tyre na mbeti. Tani jemi sërish bashkë. Kështu duhet të jemi të gjithë bashkë në paqe”.

Lojtarët e Dinamos sollën me vete në Bukuresht historitë e tyre, si dhe ankthin për atë që po kalon vendi i tyre. Lajmet po i godasin shumë ata.

“Ata kanë familje në Mariupol ose përreth qyteteve që janë nën sulm. Fatmirësisht, ata të gjithë mund të dilnin nga zona e konfliktit me kohë. Megjithatë, një nga skautët e klubit, Volodymyr Bezsonov, i cili është një emër i madh për historinë e Dynamos, është përfshirë aktivisht në mbrojtjen e Ukrainës”, thotë Zaporojanu.

Turneu i Dynamos në Evropë fillon me ndeshjen ndaj Legias. Dynamo më pas do të udhëtojë në Stamboll për të luajtur kundër Galatasarayt, për t'u kthyer në Bukuresht për ta takuar ekipin vendas FCSB. Në prill, ata do të fluturojnë për të luajtur me Borussia Dortmundin dhe Dinamo Zagrebin. Lucescu ishte i impresionuar nga mbështetja e Pep Guardiolas dhe Dynamo shpreson të takohet me Manchester Cityn në maj. Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, dhe presidenti i Paris St-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, kanë treguar gjithashtu solidaritet me luftën e Dynamos.

“Ne jo vetëm që duam të luajmë me Manchester Cityn, por jemi të hapur për ftesa nga më shumë klube në Angli, pasi ka qenë një nga vendet që e ka dënuar ashpër luftën”, tha Lucescu. “Ne folëm me Pepin dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për të luajtur një ndeshje, por do të duhet të shohim orarin e Cityt”. “Kjo nuk ka të bëjë me futbollin, futbolli është vetëm mjeti ynë. Një ftesë për të luajtur është një shenjë për ata që janë në Ukrainë, për ata që luftojnë ose vuajnë, për ata që duhet të fshihen për shkak të granatimeve. Ëndrra ime ishte të luaj në të gjitha vendet që treguan mbështetje për popullin ukrainas gjatë këtyre kohëve. Ne nuk duhet të harrojmë. Këto lojëra vijnë për të nderuar viktimat dhe për të dhënë shpresë dhe ngushëllim për të gjithë në Ukrainë”.