Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

NBA-së i bëhet thirrje që të anulojë edicionin

Udhëheqës ekzekutiv të klubeve dhe agjentë të lojtarëve i kanë bërë thirrje NBA-së që të anulojë pjesën e mbetur të edicionit 2019\2020 për shkak të brengave lidhur me shëndetin pas përhapjes së Covid – 19.

Kjo është bërë e ditur të enjten nga CNBC. Ndonëse shumë shtete të SHBA-së kanë filluar lehtësimin e masave dhe kanë nisur të hapin ekonominë, vendosmëria e NBA-s për të kompletuar edicionin dhe për të shpallur kampionin, ka nisur të lëkundet.

Sipas CNBC, pronarët e klubeve janë të shqetësuar lidhur me çështjet e përgjegjësisë dhe janë duke shqyrtuar nëse duhet të heqin dorë apo jo.

NBA-ja dhe Asociacioni i Lojtarëve janë pajtuar për ulje prej 25 për qind të pagave duke nisur nga muaji i ardhshëm. Ndonëse kjo çështje është zgjedhur, shumë pronarë nuk kanë dëshirë të vazhdojnë edicionin. Burime tjera të të ardhurave janë në rënie dhe përkundër marrëveshjes masive të të drejtave të transmetimit, ekipet po raportojnë humbje.

Sipas mediumet amerikan, një skuadër tashmë ka regjistruar humbje prej 50 milionë dollarë dhe ajo nuk ka shumë interesim për të vazhduar kampanjën.

“Pronarët po thonë se cilat do të jenë të ardhurat që do të justifikojnë koston shtesë të kthimit. Ata po shikojnë anën financiare. Po pyesin se çka sjellë vazhdimi i garës”, ka thënë një zyrtar i një ekipi të NBA-së.

Artikuj të ngjashëm