Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sportistët amerikanë “godasin” racizmin, shumë kampionate mund të anulohen

Foto: Reuters

Kampionatet në sportet kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pezulluar momentalisht, pas protestave të sportistëve.

Këto protesta kanë nisur menjëherë pasi një polic plagosi rëndë Jacob Blakeun në Wisconsin javën e kaluar. Blakeut, siç është raportuar, do t’i duhet vetëm mrekullia që të ecë sërish.

Tri ndeshje të plejofit të ligës NBA, dy duele të elitës së bejsbollit, tri takime të ligës së basketbollit të femrave WNBA dhe pesë ballafaqime të elitës së futbollit amerikan u shtynë për shkak se lojtarët kanë reaguar në përkrahje për afro-amerikanin Blake, transmeton KOHA.

I gjithë sezoni i ligës NBA rrezikon të anulohet sipas një lojtari veteran, ndërsa basketbollistët e Lakersit dhe Clippersit kanë ngritur çështjen e bojkotimit të pjesës së mbetur të kampanjës.

Tenistja Naomi Osaka gjithashtu nuk mori pjesë në gjysmëfinalen e “Western&Southern Open” në New York, që ishte paraparë të luhej të enjten, duke thënë se “para se të jem sportiste, jam femër me ngjyrë të zezë”.

Blake u qëllua në shpinë të dielën në Kenosha të Wisconsinit, rreth 65 kilometra nga Milwaukee. Incidenti u incizua me telefon. Kjo ka bërë që protesta të reja për padrejtësinë racore të mbahen në disa qytete.