Sport

Napoli synon ta vazhdojë me sukses kampionatin

Ndryshimet e mëdha në skuadër nuk e ndalën Napolin që të ketë nisje impresive, me fitoren e madhe te Verona.

Fitorja 5:2 ndaj Veronas ka qenë një sinjal pozitiv nga Napoli se edhe këtë edicion do të jetë pretendues për titull kampioni në Serie A.

Tifozët napolitanë mbetën të pakënaqur me presidentin Aurelio de Laurentiis që shiti yjet e skuadrës si Kalidou Koulibaly, Lorenzo Insigne dhe Dries Mertens, golashënuesin më të mirë në histori të ekipit.

Megjithatë, lojtarët e Luciano Spalletit ishin shumë të rrezikshëm në stadiumin “Bentegodi”.

Të enjten u konfirmua edhe Giovanni Simeone, sulmuesi që erdhi pikërisht nga Verona e që në sezonin e kaluar shënoi 17 gola në Serie A.

Bashkë me Tanguy Ndombelen që u zyrtarizua të premten dhe transferimin e Giacomo Raspadorit, Napoli do të jetë edhe më i fortë të dielën nga ora 18:30 kundër Monzas.

Juventusi, që e nisi kampanjën me fitore 3:0 kundër Sassuolos, të hënën e mbyll xhiron e dytë me ndeshjen në udhëtim te Sampdoria.

Kampioni në fuqi, Milani, zhvillon ndeshjen si mysafir i Atalantas, derisa Interi e pret Spezian. Milani luan të dielën në mbrëmje, kurse Interi të shtunën nga ora 20:45.

Fituesja e Ligës së Konferencës, Roma, e këndellur pas ardhjes së Jose Mourinhos, do të luajë në shtëpi kundër Cremoneses, të hënën nga ora 18:30.