Tifozët e Napolit kanë nisur numërimin e ditëve deri në festën e titullit të kampionit, pas tri dekadave pa sukses në elitën e futbollit të Italisë.
“Scudetto” është afruar shumë për skuadrën më të madhe të Italisë jugore.
Napoli pritet shumë shpejtë ta festojë titullin e parë që prej vitit 1990, kur Serie A konsiderohej si liga më e fortë në botë. Në radhët e veta në atë kohë napolitanët kishin legjendën argjentinase, Diego Armando Maradona.
Napoli prin në tabelë me 78 pikë, 17 më shumë sesa Lazio e pozitës së dytë.
Deri në fund të garës kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
Në xhiron e 32-të të Serie A të Italisë, Napoli do të luajë të dielën në stadiumin “Diego Armando Maradona” kundër Salernitanas në orën 15:00. Ky ballafaqim ishte paraparë të zhvillohet të shtunën, por Serie A ka njoftuar të premten se ballafaqimi është shtyrë për arsye sigurie. Në fakt kjo u bë pasi për Napolin mund të jetë ndeshje festive.
Lazio po të dielën luan në udhëtim tek Interi nga ora 12:30. Kjo ndeshje do të jetë me vëmendje të veçantë.
Në rast se Lazio nuk fiton ndaj Interit, atëherë Napoli do të konfirmohej kampion i ri i Serie A nëse e mposht Salernitanan.
Salernitana është dëshmuar kundërshtare e papërshtatshme pasi në shtatë duelet e fundit ka marrë edhe barazime ndaj Milanit dhe Interit. Nuk ka pësuar disfatë për më shumë se dy muaj.