Për trajnerin e Bayern Munichut, Julian Nagelsmannin, nuk ka sulmues më të mirë se polaku Robert Lewandowski, i cili është pjesë e ekipit bavarez. Madje Nagelsmann ka marrë guximin për ta quajtur Lewandowskin si “sulmuesin më të mirë në botë”.
Sipas trajnerit gjerman, Leandowski do ta synojë kuotën e 100 golave në Ligën e Kampionëve, pasi të martën mbrëma ndaj Benficas shënoi “hat-trik” në fitoren 5:2. Në fakt, Lewandowski e humbi edhe një penalti në këtë takim në fund të pjesës së parë. Për Lewandowskin, kjo ishte paraqitja jubilare e 100-ta në garën më elitare të klubeve në Evropë. Ai aktualisht është në kuotën e 81 golave dhe Nagelsmann është i bindur se Lewandowski gjatë këtij edicioni do t’i realizojë 100 gola. Me triumfin ndaj Benficas, skuadra e Bayernit ka siguruar kalimin në fazën e nokautit dy xhiro pa përfunduar faza e grupeve në Champions. Pas katër ndeshjeve të luajtura në fazën grupore, Bayerni i prin Grupit E me 12 pikë të mbledhura, gjashtë më shumë se Barcelona që zë vendin e dytë.
“Lewandowski është një lojtar i jashtëzakonshëm, sulmuesi më i mirë në botë. Këtë e vërtetoi në ndeshjen e fundit me Benfican, pasi nuk u ndal për asnjë moment. E kërkonte çdo top dhe dëshironte të shënonte më shumë gola. Dëshira dhe angazhimi e tij e bëjnë të veçantë Lewandowskin që për mua është i pakrahasueshëm”, është shprehur Nagelsmann. “Numri i golave që i ka shënuar është impresiv. Tani synimi është që ai të shënojë 100 gola në Ligën e Kampionëve deri në fund të këtij sezoni. Nuk do të jetë lehtë, por unë shpresoj se do ta arrijë këtë numër pasi ne veçse jemi kualifikuar në fazën e nokautit pa përfunduar faza e grupeve. Nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë Lewy do ta arrijë këtë shifër që po e synon”.
Futbollistët e vetëm që kanë shënuar të paktën 100 gola në Ligën e Kampionëve janë portugezi Cristiano Ronaldo dhe argjentinasi Lionel Messi. Në fakt këta janë para Lewandowskit, i cili renditet i treti në listën e shënuesve më të mirë të kësaj gare. Ronaldo është i pari me 139 gola në 180 paraqitje, ndërsa Messi ka shënuar 123 gola në 152 ndeshje të luajtura deri më tani në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi polak u shpall lojtari më i mirë në botë për vitin 2020 duke e mposhtur Messin dhe Ronaldon, që gjithashtu ishin në garë. Ndërsa tani Lewandowski po shihet si favorit për ta fituar “Topin e Artë” për këtë vit. I pyetur për ta bërë një krahasim mes këtyre tre lojtarëve, Nagelsmann pranoi se është një gjë tejet e vështirë.
“Është vështirë të bësh krahasime ndërmjet Lewandowskit, Ronaldos dhe Messit, sepse janë tre lojtarë të ndryshëm. Mendoj që të tre kanë qenë të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, por mendoj se Lewy mund të ketë suksese të jashtëzakonshme për shkak të formës së tij fantastike”, pranoi Nagelsmann. “Ai për mendimin tim do të vazhdojë të mbetet sulmuesi më i mirë në botë edhe për një kohë nëse vazhdon kështu”.
Sulmuesi 33-vjeçar iu bashkua Bayernit në vitin 2014 si lojtar i lirë nga Borussia Dortmundi, ndërsa këtë sezon ka shënuar 22 gola në 16 paraqitje në të gjitha garat. Lewandowski ka kontratë me skuadrën bavareze deri në fund të sezonit të ardhshëm.