Sport

Myles kthehet në Kosovë për të fituar titullin e kampionit

Prishtinë, 10 janar – Më 18 dhjetor Ponte Prizreni njoftoi për angazhimin e basketbollistit amerikan Divine Myles. Ai në Prizren arriti më 8 janar, ndërsa për të debutuar me fanellën e Pontes duhet të presë edhe një javë. Si vendor që llogaritet, Myles mund të regjistrohet vetëm për stinorin pranveror, që nis fundjavën e ardhshme.

Myles ishte larguar nga Kosova para një viti. Nga Prishtina kishte kaluar te skuadra e elitës franceze, Chorale de Roanne Basket. Në Francë kishte luajtur gjashtë ndeshje me mesatare prej 6,8 pikëve e 2,8 asistimeve për ndeshje. Në pjesën e parë të edicionit aktual nuk ka luajtur për ndonjë skuadër, ndërsa në Kosovë vjen me mision të qartë – për të fituar titullin e kampionit.

Ponte Prizreni të dielën në kuadër të xhiros së 14-të, të fundit për stinorin vjeshtor, fitoi ndaj Trepçës me rezultat 95:74. Ponte është e dyta me 24 pikë, një më pak se Rahoveci.

Në të vërtetë nuk është pritur kthimi i Myles në Superligën e Kosovës. Pas përvojës në Francë, është pritur që ai të bëjë hapa të tjerë para në karrierë. Kalimi nga elita e Francës në elitën e Kosovës, nuk është hap i tillë.

“Për shkak të COVID-19, tregu është bërë rrëmujë. Kam pritur për ofertën më të lartë dhe Ponte e ofroj atë”, ka thënë Myles të dielën për KOHËN.

Fundori Myles, pas karrierës së suksesshme në NCAA, u transferua nga Prishtina për edicionin 2018/19. U shqua me paraqitje dhe ishte prej më të mirëve te skuadra e kaltër. Mori edhe shtetësinë e Kosovës dhe luajti për përfaqësuese gjatë vitit 2019. Te Prishtina e kaloi edhe pjesën e parë të edicionit 2019/2020, ndërsa para një viti u transferua në Francë. Me Prishtinën ka fituar Kupën dhe titullin e kampionit, ndërsa ka pasur paraqitje edhe në Evropë.

Me ardhjen e tij, Ponte Prizreni llogaritet pretendent për titull të kampionit. Ponte është e mbushur me amerikanë, ndërsa tani e ka një amerikan cilësor që luan si vendor.

“Synimi im me Prizrenin është të fitoj titullin, asgjë tjetër”, ka konfirmuar Myles.

Ai është i kënaqur me përvojën që kishte në Francë. Thotë se ngritjen e tij e ndali koronavirusi.

“Po, jam i kënaqur me paraqitjes që i kisha pas largimit nga Prishtina. Do të doja të luaja më gjatë, por COVID-19 na ka ndalur”, thotë fundori amerikan.

Ai ka treguar se kthimi në Kosovë nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje që të luajë për Kosovën. Por natyrisht pret që të luajë sërish për përfaqësuesen e Kosovës. Pasaporta e Kosovës është me shumë peshë për basketbollistët amerikanë. Kjo, pasi shumë liga e kanë të kufizuar numrin e lojtarëve amerikanë, por jo edhe të atyre evropianë. Dhe kjo u krijon favore atyre, që të regjistrohen si evropianë.

Ponte është klub i ri në skenën kosovare të basketbollit. Por ka pretendime të mëdha këtë edicion. Vlerësohet klub stabil dhe i organizuar mirë. Myles vlerëson se përshtatet mirë në skuadrën prizrenase.

“I mbaj mend djemtë nga edicioni i kaluar. Është ekip agresiv dhe që punon shumë. Unë përshtatem shumë mirë me ekipin”, është i bindur amerikano-kosovari.

Në FBK kanë konfirmuar se Myles është pretendent për t’u ftuar në përfaqësuese për ndeshjet e ardhshme. Shumë do të varet nga qëndrimi i basketbollistë të tjerë amerikanë të natyralizuar, që janë në nivel më të lartë.