Ish-reprezentuesi i Kosovës, Divine Myles, është basketbollist i ri i Pejës. Amerikani Myles te kampionia në fuqi do të luajë si basketbollist i vendit. Ai ka pasaportë të Kosovës, ndërsa e njeh fare mirë Superligën.
Peja të mërkurën ka njoftuar se me fundorin Myles mbyll transferimet për këtë edicion. Te Peja e kanë paralajmëruar Mylesin si “forcë shtesë në luftën për ta mbrojtur titullin e kampionit”.
Myles është 28-vjeçar dhe i gjatë 180 centimetra. Ka luajtur për Kosovën në disa cikle kualifikuese. Pas karrierës në NCAA, Myles iu bashkua Prishtinës në edicionin 2018/19. Luajti për Prishtinën edhe në edicionin 2019/2020. Në janar të vitit 2020 iu bashkua skuadrës elitare franceze, Roanne. Në edicionin 2020/2021 u kthye në Kosovë dhe luajti për Ponte Prizrenin. Në shkurt të vitit 2022 u transferua në kategorinë e dytë të Francës. E luajti një ndeshje në Rusi, ndërsa në janar të vitit të kaluar iu bashkua skuadrës gjermane, Loewen Braunschweig, në Bundesligë. Në 18 ndeshje luajti me mesatare prej 12,4 pikë e 3,2 asistime. Prej fundit të edicionit të kaluar nuk ka të evidentuara ndeshje. Sipas “Eurobasket”, këtë muaj firmosi në Mongoli, por ai ndërkohë erdhi te Peja.
Peja këtë javë angazhoi edhe qendrën amerikane Jimmy Hall.
Skuadra pejane nuk ka pasur formë stabile këtë edicion. Së fundi, në garën për Kupë u ndal shumë herët. Në Superligë është në pozitën e dytë me 36 pikë, katër më pak se Trepça. Skuadra mitrovicase fitoi Kupën dhe është favorite edhe për titull. Por pejanët kanë plane të tjera.
Peja ndeshjen e radhës e ka menjëherë të enjten. Prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi” e pret Sigal Prishtinën, në kuadër të Ligës Ballkanike. Në Ligën Ballkanike, Peja i ka tri fitore e një humbje.
Në Superligë, Peja ndeshjen e radhës e ka ndaj Vëllaznimit në Gjakovë. Ndeshja e fundjavës i takon xhiros së 22-të. Superliga nuk është luajtur që nga 10 e 11 shkurti. Peja ka humbur në xhiron e kaluar nga Bashkimi në Prizren.