Klubi i basketbollit Peja të mërkurën ka njoftuar se lojtari i paralajmëruar me shumë bujë, Divine Myles, nuk do të jetë pjesë e tij në këtë edicion. Klubi kampion ka shkruar se “Federata e Basketbollit e Kosovës ka mohuar përfundimisht regjistrimin e Divine Myles si basketbollist i KB Peja”.
Në njoftimin e Pejës, gishti indirekt drejtohet kah FBK-ja për mbetjen jashtë ekipit të amerikanit me pasaportë të Kosovës. Peja e ka përdorur edhe termin “moslejim”.
“Pas shqyrtimit të rastit, FBK-ja ka adresuar te KB Peja se Divine Myles nuk mund të luajë për klubin tonë në sezonin 2023/24 për shkak të atyre që ata i kanë cilësuar si probleme me regjistrim. Kësisoj, rosteri final i KB Pejës është ky aktuali. Dhe përkundër moslejimit të Divine Myles, ne jemi të kompletuar dhe premtojmë luftën deri në fund për çdo trofe të mbetur”, ka shkruar tutje Peja.
Në Federatën e Basketbollit të Kosovës insistojnë se u janë përmbajtur rregullave në fuqi. Myles nuk ka mundur të regjistrohet te Peja pasi ka luajtur për skuadër tjetër edhe pasi është bërë kërkesa për kalimin e tij te kampionia e Kosovës.
“Nga informatat zyrtare të publikuara nga Federata e Basketbollit e Mongolisë shihet se edhe pas datës së paraqitur për regjistrim, të dorëzuar në FBK, i njëjti lojtar, Divine Myles Miracle, ka pasur paraqitje në ekipin e tij, Khasiin Khuleguud në Mongoli. Komisioni i garave gjatë verifikimit ka vlerësuar se Divine Myles Miracle nuk mund të regjistrohet dhe të paraqitet për KB Peja në edicionin 2023/2024, pasi që i njëjti pas paraqitjes për regjistrim në FBK ka vazhduar të paraqitet në një kampionat tjetër. Me këtë ka luajtur me tjetër klub përtej afatit të caktuar kur ka qenë data e transferimit”, ka thënë për KOHËN, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Peja më 28 shkurt paraqiti kërkesën për regjistrimin e Myles, dikur reprezentues i Kosovës. Atë e prezantoi me shumë bujë, si përforcim të fundit për këtë edicion garues.
Komisioni i Garave i FBK-së të martën refuzoi kërkesën e Pejës për regjistrimin e fundorit.
Skuadra nga Mongolia, Khuleguud, më 27 mars ka angazhuar Mylesin. Menjëherë amerikani me pasaportë të Kosovës u paraqit në gjysmëfinale të plejofit. Ndërkohë Khuleguudi, me Mylesin në përbërje, ka kaluar në finale të kampionatit.
Myles ka luajtur edhe më 29 shkurt e 2 mars në Mongoli dhe kështu ka humbur të drejtën të regjistrohet te Peja. Myles e kërkon titullin në Mongoli dhe është lojtar i rëndësishëm në skuadrën aktuale. Ndërkohë Peja duhet ta kërkojë pa të mbrojtjen e titullit në Kosovë.
Box *****************
T: Bashkimi ndahet pas vetëm një ndeshjeje me ish-lojtarin e NBA-së
Ish-lojtari i NBA-së, Terrance Ferguson, erdhi me shumë bujë te Bashkimi i Prizrenit. Por po largohet pa lënë ndonjë gjurmë, si shumë basketbollistë amerikanë në të kaluarën.
Bashkimi të mërkurën njoftoi se me marrëveshje të dyanshme ka shkëputur kontratën me Fergusonin. Madje ka përmendur se kjo bëhet për arsye disiplinore. Në fakt, rrallë ndodh që për arsye disiplinore klubi e lojtari të pajtohen për të shkëputur kontratën. Kur ka shkelje disiplinore është klubi që ia shkëput lojtarit kontratën.
Ferguson në basketbollin kosovar e ka luajtur vetëm një ndeshje. U paraqit të shtunën në humbjen 81:70 të Bashkimit nga Ylli. Në parket i kaloi nëntë minuta, ndërsa nuk shënoi pikë. Për më tepër, në çerekun e tretë thuajse humbi ndjenjat dhe nga parketi u largua me barelë. Më pas Bashkimi njoftoi se Ferguson nuk ka ndonjë telash shëndetësor dhe se ishte fjala vetëm për lodhje. Por të mërkurën njoftoi se ka shkëputur kontratën me këtë basketbollist.