Basketboll

“Sezoni i zjarrtë” i Pejës që rrezikon të shndërrohet në dështim

peja

“Pejë, një sezon i zjarrtë na pret”.

Ky ishte paralajmërimi që kishte dhënë klubi i basketbollit GO+ Peja në fillim të shtatorit.
Por njëjtë si dy edicionet e kaluara, Peja në gjysmë të rrugës është larg objektivit. Dhe këtë herë situata duket pak më e rëndë. 

Peja kompletoi me kohë skuadrën në verën e kaluar. Angazhoi basketbollistë cilësorë të huaj e vendorë. Mori trajner amerikan me përvojë, nisi me kohë stërvitjet, luajti miqësore të shumta, por sërish në vjeshtë nuk i kishte rezultatet që synonte.

Dhe situata u rëndua gradualisht. Disa prej të huajve u zëvendësuan, ndërsa Malcolm Armstead, që luan si vendor, kaloi te Bashkimi. Ndërkohë u lëndua Dardan Berisha dhe kjo solli të tjera telashe. Përnjëherë fondi i lojtarëve vendorë nuk ishte i mjaftueshëm, ndërsa të huajt jo gjithnjë shfaqën atë që pritej prej tyre. 

Më 17 dhjetor, Peja shënoi fitore të thellë, 98:67, ndaj Sigal Prishtinës. Më 21 dhjetor humbi 119:118 nga Bashkimi i Prizrenit. Më 11 janar, pejanët pësuan 94:85 nga Vëllaznimi në Gjakovë, kurse më 15 janar pësuan thellë, 98:61 nga Trepça në Mitrovicë. Tjetër humbje në Superligë pësuan më 17 janar, 90:89, nga Golden Eagle Ylli në “Karagaçi”.

Derisa gara në Superligë vlerësohet plotësisht e hapur, Peja të enjten u eliminua nga gara për Kupë. Në fakt më 8 janar skuadra e verdhë pësoi 96:90 nga Bashkimi në Prizren në çerekfinalen e parë. Dhe të enjten e humbi çerekfinalen e dytë nga prizrenasit me shifrat 73:70.

Kjo ndeshje dëshmoi që problemet janë më të thella. Tifozët pejanë ndërprenë ndeshjen pak para fundit, duke hedhur mjete tymosëse në parket. Dhe ata më pas akuzuan kryesinë e klubit për gjendjen e krijuar, jo lojtarët.

“Po përsëritet e njëjta histori që po ndodh tash e sa vjet. Nuk është problem humbja. Problemi është kryesia që po e mbyt klubin ngadalë. Ne e dimë mirë kush po e shkatërron këtë klub. Jo lojtarët. Jo fanella. Por ata që rrinë në zyra e nuk e dinë çka është Peja. KB Peja nuk është biznes i juaji, nuk është CV, nuk është reklamë. Ky klub është i qytetit”, ka shkruar tifo-grupi UCF ndër të tjera pas ndeshjes me Bashkimin.

Pas humbjes së thellë në Mitrovicë, trajneri amerikan Greg Gibson u largua me marrëveshje të dyanshme. 

Kroati Damir Milaçiq mori drejtimin e skuadrës më 17 janar, por nisi me dy humbje. Erdhi në moment të keq.

Se Peja nuk është në gjendjen më të mirë u bë e qartë kur hoqi dorë nga ndeshja në ligën ndërkombëtare, ENBL. Skuadra nuk udhëtoi për në Çeki për ndeshjen me Olomouckon, që të fokusohej në dy sfidat e Superligës që i kishte të njëjtën javë. Kjo dëshmoi që drejtuesit e klubit nuk i kishin bërë planet si duhet. 

Të martën, Peja luajti në Greqi ndaj Iraklisit dhe humbi shumë thellë, 122:80, po në kuadër të ENBL-së. Dhe vetëm dy ditë më pas pësoi humbje të ngushtë por shumë të rëndë.

Në Superligë, Peja është e treta me 24 pikë, sa i ka edhe Bora në vendin e katërt. Trepça është e para me 29 pikë, kurse Bashkimi i ka 27 në të dytën.

Pikërisht me Borën në Prishtinë, Peja luan në fundjavë, në kuadër të xhiros së 17-të. Mbetet të shihet nëse do të japë shenja se po e kalon krizën, apo nëse do të thellohet edhe më shumë në të.