Mbrojtësi i Evertonit, ukrainasi Vitaliy Mykolenko, ka nisur një sulm të ashpër në rrjetet sociale ndaj Përfaqësueses së Rusisë për heshtjen e futbollistëve të saj, qëkur Vladimir Putini urdhëroi sulmet ndaj Ukrainës.
Rusia të enjten e shkuar nisi sulmet ndaj Ukrainës, që janë dënuar nga shtetet perëndimore, si dhe organizatat sportive.
Premier League tregoi përkrahjen për Ukrainën gjatë vikendit. Mykolenko dhe Oleksandr Zinchenko ishin në mesin e futbollistëve të Evertonit e Manchester Cityt që dolën në fushë me mesazhin kundër luftës. Madje, Mykolenko e Zinchenko u përqafuan para fillimit të ndeshjes.
Ndërkohë të martën Mykolenko shfrytëzoi rrjetet sociale për të sulmuar reprezentuesit e Rusisë në krye me kapitenin Artem Dzyuba. Zinchenko ditë më parë atakoi presidentin rus.
Në postimin e tij në “Instagram”, Mykolenko e kritikoi kapitenin rus, Dzyuba, dhe bashkëlojtarët e tij që nuk kanë reaguar kundër pushtimit të Ukrainës. Dzyuba nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet sociale që nga data 23 shkurt dhe Mykolenko ka thënë se kjo nuk është në rregull, derisa në Ukrainë po vriten njerëz të pafajshëm.
Edhe
Zinchenko i gatshëm të heqë dorë nga futbolli për t’iu bashkuar luftës
“Ndërsa ju qëndroni të heshtur së bashku me shokët e skuadrës suaj të futbollit, civilë paqësorë po vriten në Ukrainë”, ka shkruar ndër të tjera Mykolenko.
Pas këtij postimi nuk ka munguar reagimi i disa prej futbollistëve kryesorë të Ukrainës, të udhëhequr nga Zinchenko e Andriy Yarmolenko, që bëjnë karrierë në Angli. Ata i kanë bërë thirrje sportit që t’i rezistojë pushimit të vendit të tyre nga Rusia në një video të publikuar po ashtu në rrjetet sociale.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit të futbollit, të gjithëve që janë të bashkuar nga dashuria për lojën e futbollit ... të gjithëve që na dëgjojnë, t'i rezistojmë kësaj lufte, të ndalojmë shkatërrimin dhe gjakderdhjen”, thonë 13 futbollistët ukrainas në një mesazh të përbashkët.
“Ne i kërkojmë të gjithë komunitetit botëror të futbollit që të kundërshtojë propagandën ruse, të tregojë të vërtetën për luftën në Ukrainë me të gjitha burimet e mundshme. Thoni jo luftës!”.
Edhe
Futbollisti më i famshëm i Rusisë refuzon ftesën për shkak të situatës në Ukrainë
Krahas Zinchenkos të Cityt e Yarmolenkos së West Hamit, video përfshin edhe nëntë lojtarë të skuadrave Dynamo Kiev e Shakhtar Donetsk. Paraqiten edhe Ruslan Malinovskyi i Atalantas dhe Viktor Kovalenko i Spezias në Serie A.
Federata e Futbollit të Ukrainës ka bërë të ditur se mesazhi i futbollistëve ka sjellë një donacion prej 500 mijë eurosh për ushtrinë e shtetit, që është mobilizuar me të gjitha kapacitet për t’iu kundërvënë Rusisë. Përderisa Rusia është suspenduar nga të gjitha garat ndërkombëtare të futbollit nga FIFA e UEFA deri në një njoftim tjetër, Ukraina ende po shpreson që të kualifikohet për Botërorin e këtij viti që mbahet në Katar. Ukraina në fund të muajit do të luajë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror me Skocinë në Glasgow. Nëse e fiton këtë ndeshje, Ukraina do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Uellsit dhe Austrisë.