Futboll

Zinchenko i gatshëm të heqë dorë nga futbolli për t’iu bashkuar luftës

Oleksandr Zinchenko

Mbrojtësi i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko, është shprehur se është gati që ta përfundojë karrierën në futboll për ta ndihmuar vendin e tij, Ukrainën, në rast të thirrjes për luftë ndaj Rusisë.

Në një intervistë për BBC, Zinchenko ka folur për atdheun e tij dhe gatishmërinë për të luftuar. Ka mbi dy vjet që Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Zinchenko, tha se të gjithë shokët e tij të shkollës janë duke kontribuar për shtetin e tyre, ndërsa edhe ai vetë është i gatshëm për të luftuar.

“Mendoj se është një përgjigje e qartë. Unë do të shkoja për të luftuar. Është e vështirë të kuptosh që në të kaluarën kemi qenë në të njëjtën shkollë, kemi luajtur në shesh lojërash ose në fushën e futbollit dhe tani ata duhet të mbrojnë vendin tonë”, tha Zinchenko.

27-vjeçari shtoi se me të gjithë shokët e tij të dikurshëm rusë i ka shkëputur kontaktet. Por thotë se e kupton pozicionin e vështirë në të cilin ndodhen ata.

“Që nga pushtimi, me të vërtetë pak prej tyre më kanë dërguar mesazhe dhe nuk mund t'i fajësoj ata sepse ky nuk është faji i tyre. Unë nuk mund t'u them atyre 'djem, bëni protesta dhe të gjitha këto gjëra', sepse e di që mund të futen në burg”.

Zinchenko tha se nuk do ta harrojë kurrë se çfarë bëri Rusia ndaj shtetit të tij. 

“Nuk do ta harrojmë kurrë atë që na kanë bërë neve, popullit tonë. Dhe këtë do t'ua mësoj edhe fëmijëve të mi. Dhe fëmijët e mi do t'i mësojnë fëmijët e tyre. Kjo nuk është e pranueshme”, shtoi ylli i Arsenalit.

Që nga fillimi i pushtimit rus ndaj Ukrainës, futbollisti i klubit londinez Zinchenko i ka dhuruar një milion euro për shtetin e tij. Kontribut të madh kanë dhënë edhe sportistë të tjerë të njohur ukrainas.

Së fundmi, Ukraina u kualifikua për në Evropianin 2024 që do të mbahet në Gjermani. 

Në finalen e plejofit ukrainasit e mposhtën përfaqësuesen e Islandës me rezultat 2:1.

Zinchenko është pjesë e Arsenalit nga viti 2022. Ishte transferuar nga Manchester City për 35 milionë euro.