Mbrojtësi Shkodran Mustafi është pa klub që nga vera dhe ende ka shpresë për të gjetur një skuadër të re.
“Sa më gjatë je pa klub, më shumë vështirësi vijnë dhe për këtë jam i vetëdijshëm”, ka thënë 31-vjeçari Mustafi, fitues i Kupës së Botës me Gjermaninë.
Ai së fundmi ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sky Sport” të Gjermanisë, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen e tij, pas pensionimit.
“Kam pasur tjetër operim në thembër pasi luajta në Spanjë dhe për disa javë isha në rikuperim. Tani ndihem mirë dhe shpresoj ta kem shansin përsëri diku. Ky është synimi im”, ka thënë qendërmbrojtësi që së fundmi ishte pjesë e Levantes në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.
Transferimi te Sampdoria në fillim të sezonit aktual ka dështuar. Mustafi në të kaluarën ka luajtur te Sampdoria, kur e nisi karrierën profesioniste në vitin 2012.
Ai ka qenë edhe pjesë e Valencias, Arsenalit e Schalkes.
“Unë një gjë e kam në mendje. Pa dyshim se do të marr licencën për trajner futbolli”, ka deklaruar ai.