Mbrojtësi Shkodran Mustafi pret që Gjermania të bëjë lojë të guximshme në fushë në Evropianin e vitit të ardhshëm. Ai ka thënë se Gjermania gjithmonë ka qenë e suksesshme kur ka luajtur futboll të guximshëm dhe mbrojtje agresive. Mustafi me Gjermaninë fitoi Kupën e Botës në vitin 2014.
“Unë jam mbrojtës, por nuk do të doja që skuadra ime të ndërtonte një mburojë mbrojtëse apo të parkonte autobusin para portës. Ata gjithmonë thonë ‘sulmi është mbrojtja më e mirë’ dhe ‘mbrojtja fillon me sulmuesit’. Unë jam plotësisht dakord me këtë, por nëse një ekip është shumë i fortë në sulm, zakonisht ka më pak punë në mbrojtje. Besoj se nëse skuadra arrin ta vendosë kundërshtarin nën presion në sulm me dhe pa top, do të ketë më pak probleme në mbrojtje. Kombëtarja ishte gjithmonë e suksesshme kur luante futboll të guximshëm dhe mbrohej në mënyrë agresive në fushë”, ka thënë Mustafi në një intervistë për “Sky”.
Pjesa e dytë e intervistës është publikuar të mërkurën. Mustafi me grupmoshën U17 të Gjermanisë në vitin 2009 fitoi titullin e Evropës. Me këtë grupmoshë këtë vit Gjermania e fitoi edhe Kupën e Botës.
“Unë jam ende duke e festuar titullin e vitit 2009. Ndoshta jo të gjitha kampionët e botës do të bëhen lojtarë kryesorë, por Federata sigurisht ka një ide të mirë se cilët lojtarë mund të shkëlqejnë”, është shprehur Mustafi.
Ai thotë se Gjermania nuk është në momentet më të mira. Por pret të ketë eufori gjatë Evropianit, ashtu siç e kishte si organizatore e Botërorit të vitit 2006.
“I uroj skuadrës dhe ekipit të trajnerëve vetëm më të mirën dhe besoj se suksesi do të ishte shumë i mirë për të gjithë vendin. Fatkeqësisht ne kemi shumë kantiere dhe probleme në Gjermani. Do të ishte mirë nëse do të kishte një eufori si në Kupën e Botës 2006 në verë dhe ne mund të flisnim përsëri për gjëra pozitive”, ka theksuar Mustafi.
Edhe
Fitoi titullin e botës, Mustafi favorizon Gjermaninë dhe paralajmëron kthimin në futboll
Mustafi është pa skuadër. Ai së fundi ishte pjesë e Levantes në Spanjë. Karrierë ka bërë edhe te Schalke, Arsenali, Valencia, Sampdoria dhe te të rinjtë e Evertonit e Hamburgut. 31-vjeçari pret të luajë ende në nivel profesional.
“Sa më gjatë të mos kesh klub, aq më e vështirë bëhet. Unë jam i vetëdijshëm për këtë. Por unë jam duke e mbajtur formën dhe shpresoj që të kem një mundësi tjetër për të luajtur futboll profesional. Ky është qëllimi im”, ka thënë Mustafi.
Ai e mendon të ardhmen e tij si trajner. Mustafi dëshiron që sa më shpejt të marrë licencën e trajnerit. Përfaqësuesja e Gjermanisë është pjesë e Grupit A në “Euro 2024”, të cilin e përbëjnë edhe Zvicra, Skocia e Hungaria. Evropiani i vitit të ardhshëm do të mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik të vitit të ardhshëm.