Mesfushori defensiv, Yunus Musah pritet të jetë përforcimi i tetë i skuadrës së Milanit në këtë afat kalimtar. “Calciomercato” ka shkruar të mërkurën se Musah po kërkon me çdo kusht t’i bashkohet Milanit, ekip që është në negociata me Valencian për lirimin e tij.
Valencia po kërkon 25 milionë euro për 20-vjeçarin, por thuhet se marrëveshja mund të arrihet për 20 milionë euro duke pasur parasysh presionin e futbollistit.
Musah ka kontratë deri në vitin 2026 me ekipin spanjoll, ndërsa thuhet se me Milanin tashmë ka firmosur parakontratë.
Ai ka debutuar në vitin 2020 me ekipin e parë të Valencias, ku edicionin e shkuar regjistroi 37 paraqitje në të gjitha garat. Musah ka edhe 24 ndeshje të luajtura për SHBA-në.