Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muriqi nuk pajtohet me kritikët

Vedat Muriqi ka arritur në shifrën e 15 golave në këtë edicion. Sulmuesi i Kosovës të martën shënoi golin e vetëm për Fenerbahçen që pësoi 2:1 nga Trabzonspori në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Turqisë në futboll.

Muriqi ka 13 gola në Superligën turke e dy në ndeshjet për Kupë. Muriqi në Superligë ka shënuar të shtunën. Kishte katër ndeshje pa gol dhe mediat turke raportuan për krizë te prizrenasi.

Pas ndeshjes të luajtur të martën mbrëma, Muriqi ka bërë të ditur se nuk pajtohet me kritikat që iu adresuan.

“E kemi ditur se do të jetë ndeshje e vështirë. Pasi luhen dy ndeshje, kemi dalë në fushë për rezultat sa më të mirë. Nuk jemi të kënaqur me një gol, por 2:1 është më mirë se 2:0. Nuk është përparësi, por nuk mund të them që është disavantazh i madh. Shpresoj të kalojmë në finale me rezultat të mirë në ndeshjen e dytë”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të Fenerbahçes.

Ai më pas ka folur për formën personale. Ka thënë se ka pasur bilanc të mirë prej fillimit të edicionit.

“Më pas nuk shënova në katër ndeshje, por nuk pajtohem me kritikat se performanca ime ishte në rënie. I respektoj të gjithë, por unë mundohem të luaj lojën time, që vazhdimisht të kontribuoj për ekipin. Nuk ka rëndësi nëse shënoj apo jo, thjeshtë duhet të kontribuoj për ekipin. Mund të diskutohet se sa e drejtë është të vlerësohet që një sulmues që vrapon në secilën ndeshje dhe ndihmon ekipin e tij në mbrojtje, ka paraqitje të zbehtë. Nuk dua të kuptohem gabim, nuk po e lavdëroj veten. Kam pasur telashe për të shënuar. Por tani i kam dy gola brenda tri ditëve. Jam i lumtur. Mundohem të jap çdo kontribut për ekipin. Shpresoj të vazhdoj të kontribuoj me gola e asistime”, ka theksuar Muriqi.

Artikuj të ngjashëm