Sport

Mungesa të rëndësishme te Kosova për ndeshjet me Malin e Zi dhe Slloveninë

Perfaqesuesja e Kosoves ne hendboll

Selektori i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, të hënën ka shpallur listën për ndeshjet me Malin e Zi dhe Slloveninë. Janë ndeshjet e para të kualifikimeve për Euro 2024. Kosova më 12 tetor luan ndaj Malit të Zi në Podgoricë, ndërsa më 16 tetor e pret Slloveninë në Prishtinë.

Në grupin e shtatë është edhe Bosnjë-Hercegovina, me të cilën Kosova takohet më vonë. Kosovës i mungojnë lojtarë të rëndësishëm në dy ndeshjet e javës së ardhshme. Sipas njoftimit të FHK-së, kapiteni Valon Dedaj dhe Shaban Zogaj janë të lënduar, ndërsa Bujar Ramosaj mungon për shkak të obligimeve personale. Në listë nuk është as Deniz Terziqi, një prej lojtarëve më të mirë në vend, për të cilin FHK-ja nuk ka dhënë ndonjë sqarim.

Ai më herët ka pasur mosmarrëveshje me selektorin Qerimi. Janë ftuar 18 lojtarë, ndërsa për herë të parë janë grumbulluar Atdhe Basholli, Matej Taci e Arianit Nimanaj. Në përfaqësuese janë kthyer Rron Ramadani, Flamur Gërbeshi e Leonard Gegaj.