Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova me mungesa të rëndësishme në ndeshjet ndaj Sllovakisë

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, të premten ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Sllovakisë. Ndonëse janë në listë, Qerimi nuk do të ketë nën urdhra tre prej lojtarëve kryesorë. Bëhet fjalë për vëllezërit Drilon e Drenit Tahirukaj si dhe për Bujar Ramosajn.

Të tre luajnë në skuadrën e Superligës së Zvicrës, Kreuzlingen. Federata e Hendbollit e Kosovës ka dhënë arsyet për mungesën e tre lojtarëve.

“Në listën e selektorit Qerimi ishin edhe Drilon e Drenit Tahirukaj, që nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës nga Kombëtarja e Kosovës. Ndërkohë Bujar Ramosaj nuk do të jetë në grumbullim për shkak të pamundësisë që të marr leje në vendin e punës, ndonëse dëshira e tij ishte që të jetë pjesë e Kombëtares”, ka shkruar FHK-ja.

Ramosaj vlerësohet shtyllë e mbrojtjes së Kosovës. Drenit Tahirukaj është beku i djathtë i parë i Kosovës dhe shquhet për efikasitetin e lartë. Në ndeshjet e fundit ishte lojtari kryesor i Kosovës në sulm. Ndërkohë Drilon Tahirukaj është aloja e djathtë e parë e përfaqësueses.

Selektori Qerimi vazhdon të mos llogarisë në Deniz Terziqin, njërin prej lojtarëve më të mirë në Kosovë. FHK-ja nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për Terziqin që po shënon gola të shumtë për Trepçën.

Kosova e Sllovakia takohen në kuadër të fazës së parë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025. Ndeshja e parë zhvillohet të enjten e ardhshme, më 2 nëntor, në Povazska Bystrica. Ndeshja e dytë është të dielën, më 5 nëntor, në Prishtinë. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon tutje.

Edhe Hendbollistët e Kosovës optimistë para përballjes në Sllovaki Sport Hendbollistët e Kosovës optimistë para përballjes në Sllovaki

Sllovakia vlerësohet favorite. Në short ishte në vazon e parë, ndërsa Kosova në të dytën. Vjet sllovakët luajtën në Evropianin që e organizuan bashkë me Hungarinë. Në grupe fituan ndaj Lituanisë, kurse pësuan nga Norvegjia dhe Rusia.

Mungesat e rëndësishme zbehin gjasat e Kosovës për sukses në ndeshjet e javës së ardhshme.