Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistët e Kosovës optimistë para përballjes në Sllovaki

Hendbollistët e Kosovës kanë udhëtuar me optimizëm të madh drejt Sllovakisë, ku do ta luajnë njërën prej dy ndeshjeve në kuadër të fazës së parë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025. Kosova të martën ka ateruar në Sllovaki, ndërsa të enjten do ta zhvillojë ndeshjen e parë. Dueli mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet në Povazska Bystrica dhe nis në orën 18:00.

Te Kosova besojnë një rezultat të favorshëm në Sllovaki, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit në Prishtinë ta konfirmojnë kalimin me sukses të fazës së parë kualifikuese. Dueli në Prishtinë luhet të dielën prej orës 17:00, ndërsa përfaqësuesja më e suksesshme pas këtyre dy ndeshjeve avancon në fazën e dytë. Para nisjes në Sllovaki, Kosova të hënën ka mbajtur dy stërvitje në Prishtinë, ndërsa grumbullimin e ka nisur të dielën. Për këtë ndeshje, Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme. Drilon e Drenit Tahirukaj nuk i janë përgjigjur ftesës pozitivisht, ndërsa Bujar Ramosaj e Valon Dedaj nuk kanë mundur të grumbullohen. Të gjithë këta janë pjesë e skuadrës zvicerane, Kreuzlingen.

Në fakt, Dedaj e Ramosaj pritet të paraqiten të dielën në Prishtinë. Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, ka insistuar se përkundër këtyre mungesave të rëndësishme, Kosova ka cilësi për të pasur paraqitje të mirë, jo vetëm në ndeshjen e parë në Sllovaki, por edhe në të dytën në Prishtinë. Ai beson në ekipin e tij dhe shton se janë përgatitur mirë me gjithë kohën e shkurtër që e kishin në dispozicion.

“Mendoj se nëse jemi komplet, Sllovakia është niveli ynë dhe ndoshta jemi mbi të. Por në situatën aktuale ata janë favoritë, por jo favoritë absolutë. Është ndeshje e hapur, do të luftojmë ta bëjmë lojën tonë dhe në ndeshjen e parë të marrim një rezultat pozitiv. Në lojën e kthimit do të përfitojmë prej rastit të kthejmë dy prej katër që i kemi mungesë”, është shprehur Qerimi.

Edhe kapiteni i Kosovës për ndeshjen në Sllovaki, Kastriot Jupa, ka thënë se beson në rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, përpara se kualifikimin në raundin tjetër ta konfirmojë në Prishtinë. Jupa është lojtari më me përvojë te Kosova dhe për kohë të gjatë prej më të rëndësishmëve.

“Kemi mungesa pasi disa lojtarë kryesorë nuk kanë mundur të jenë pjesë e jona. Por e kemi analizuar kundërshtarin dhe besoj se dimë mjaftueshëm për të. Shkojmë për rezultat pozitiv atje dhe pastaj në Prishtinë ta sigurojmë kualifikimin në raundin tjetër. Janë nivel i ngjashëm me ne dhe besoj se kemi gjasa për avancim”, tha Jupa.

Përfaqësuesja e Kosovës ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe, pavarësisht që vitet e fundit shënoi disa fitore të bujshme, por që nuk ishin të mjaftueshme.

Artikuj të ngjashëm