Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mundje: Shala nuk garoi në Evropian, nuk arriti peshën

Egzon Shala - Mundje

Mundësi Egzon Shala është dashur të garonte të hënën në Kampionatin Evropian të mundjes. Evropiani i seniorëve ka nisur në Zagreb të Kroacisë, ndërsa Shala ishte paraqitur të garonte në kategorinë deri 97 kilogramë në stil të lirë.

32-vjeçari, megjithatë, nuk ka arritur peshën prej 97 kilogramësh dhe kështu ka mbetur pa garuar. Këtë e kanë konfirmuar burime nga Federata e Mundjes e Kosovës.

Në raundin e parë të kategorisë deri 97 kilogramë, Shala është dashur të përballej me hungarezin e natyralizuar, Vladislav Baitcaev. Zyrtarisht është shkruar se Shala ka dorëzuar luftën dhe garuesi i Hungarisë ka avancuar në raundin e dytë.

Shala për shumë kohë është vlerësuar mundësi me potencialin më të madh në Kosovë. Por ka garuar shumë rrallë në vitet e fundit. Vjet garoi vetëm në Lojëra Mesdhetare dhe u ndal në përballjen e parë. Në vitin 2021 kishte garuar në Lojërat Olimpike të Tokios, ku falë një fitoreje ishte renditur i shtati. Bilanc më të dobët atë vit kishte në Evropian, ku u ndal në luftën e parë.

Në vitin 2020 nuk ka garë ndërkombëtare të evidentuar, ndërsa në vitin 2019 ishte i shtati në Evropian dhe i pesti në Botëror. I pesti në Botëror doli pasi dy mundës u suspenduan për doping. Falë kësaj fitoi normën olimpike për Tokio.

Edhe Kosova pa mundës në Botërorin e Beogradit Sport Kosova pa mundës në Botërorin e Beogradit

Shala deri në vitin 2017 ka garuar për Shqipërinë e më pas u kthye te Kosova. Ai që nga viti 2017 nuk kishte garuar në kategorinë deri 97 kg. Është paraqitur në kategorinë deri 125 kg, ndërsa ka planifikuar të garojë në kategorinë deri 97 kg në Evropian. Por nuk ia doli të arrijë peshën.

Egzon Shala është bursist olimpik dhe përkrahet nga Komiteti Olimpik i Kosovës me plot 650 dollarë në muaj. Bursën do ta gëzojë deri në lojërat olimpike “Parisi 2024”.

Selektor i Kosovës në mundje është Sylejman Shala, babai i Egzonit.

Mundja kosovare assesi nuk po ia del të kthehet në rrugën e sukseseve, sidomos në nivelin senior. Egzon Shala ka disa vjet që është i vetmi që paraqitet në gara të mëdha në nivelin senior. Mundja kosovare, që mburret me traditën e pasur, ka telashe edhe me masivizim, ndërsa së fundi është vlerësuar se po vjen një gjeneratë që premton për të ardhmen.

Edhe Mundësi i Kosovës mposhtet 11:0 në Botërorin në Tiranë Luftarake Mundësi i Kosovës mposhtet 11:0 në Botërorin në Tiranë

Kosova ende nuk ka vendosur për natyralizim të mundësve nga Çeçenia. Këtë e ka bërë tashmë Shqipëria, që falë një mundësi nga Çeçenia ka fituar medalje të artë botërore. Madje në Beograd. Shumë vende tashmë kanë në përbërje mundës të natyralizuar, por jo edhe Kosova.

Federata kosovare e Mundjes është mbështetur në garuesit e vendit, që aktualisht janë larg nivelit për të fituar medalje me peshë.