Sport

Kosova pa mundës në Botërorin e Beogradit

Kosova nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të mundjes në Beograd të Serbisë. Botërori nis të shtunën dhe përfundon më 24 shtator, por pa Kosovën pjesë të tij. Në Federatën e Mundjes së Kosovës thonë se nuk kanë paraqitur pjesëmarrjen e mundësit Egzon Shala për shkaqe sigurie dhe politike. Version tjetër jep selektori i Kosovës, Sylejman Shala. Shala thotë se i biri tij, Egzoni, ka humbur të drejtën e pjesëmarrjes në Botëror pasi në prill nuk garoi në Evropian.

Shala në Evropianin në Zagreb ishte paraqitur të garonte në kategorinë deri 97 kilogramë në stil të lirë. Por 32-vjeçari nuk pati arritur peshën prej 97 kilogramësh dhe kështu mbeti pa garuar.

“Për shkaqe sigurie dhe politike kemi vendosur të mos e dërgojmë garuesin tonë për pjesëmarrje në Botëror. Situata dhe deklarimet janë bërë më të ashpra pas marrjes së të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Serbia e ka kundërshtuar ashpër, dhe për të mirën e sportistëve ne kemi vendosur të mos marrim pjesë”, ka thënë kryetari i Federatës së Mundjes të Kosovës, Naim Muja.

Për Shalën është mundësi tjetër e humbur për normë olimpike për “Parisi 2024”.

Shala për shumë kohë është vlerësuar mundësi me potencialin më të madh në Kosovë. Por ka garuar shumë, shumë rrallë në vitet e fundit.

Vjet garoi vetëm në Lojëra Mesdhetare dhe u ndal në përballjen e parë. Në vitin 2021 kishte garuar në Lojërat Olimpike të Tokios, ku falë një fitoreje ishte renditur i shtati.

Shala deri në vitin 2017 ka garuar për Shqipërinë e më pas u kthye te Kosova.

Egzon Shala është bursist olimpik dhe përkrahet nga Komiteti Olimpik i Kosovës me plot 650 dollarë në muaj. Bursën do ta gëzojë deri në “Parisi 2024”.

Selektori i Kosovës në mundje, Sylejman Shala, thotë se i Egzoni ka humbur mundësinë për t’u paraqitur në Botëror.

“Nuk kemi pasur të drejtë të marrim pjesë, pasi nuk kemi garuar në Evropian. Jemi përgatitur, por pasi nuk u paraqitëm në Evropian, humbëm mundësinë për t’u paraqitur në Botëror. Në Evropian nuk arritëm të zbresim në peshë. Për një kilogram e 200 gramë nuk arriti Egzoni. U munduam, por nuk ia dolëm. Iu bllokua organizmi, as djersë nuk i dilnin. Botërori ka qenë një mundësi e madhe për normë”, ka thënë Sylejman Shala.

Selektori thotë se Egzoni do t’i ketë edhe tre turne kualifikues vitin e ardhshëm për të siguruar normë olimpike.

“I kemi edhe tri mundësi për normë. Normën e sigurojmë nëse në njërin prej turneve arrijmë vendin e parë, të dytë ose të tretë. Ata që tash fitojnë normë nuk marrin pjesë në turnetë kualifikues”, ka theksuar selektori Shala.

Mundja kosovare assesi nuk po ia del të kthehet në rrugën e sukseseve, sidomos në nivelin senior. Egzon Shala ka disa vjet që është i vetmi që paraqitet në gara të mëdha në nivelin senior. Mundja kosovare, që mburret me traditën e pasur, ka telashe edhe me masivizim, ndërsa së fundmi është vlerësuar se po vjen një gjeneratë që premton për të ardhmen.

Ndërkohë Shqipëria do të marrë pjesë në Beograd. Do të udhëtojë me gjashtë mundës. Ngjyrat kuqezi do të mbrohen nga Zelimkhan Abakarov në peshën 57 kilogramë, Islam Dudaev (65 kg) dhe Paris Karepi (125 kg).

Në stilin greko-roman, Shqipëria do të përfaqësohet nga Bajram Sina në 60 kilogramë dhe Kevin Kupi në 77 kg.

Albina Drazhi garon në kategorinë 65 kg. Pritshmëritë më të mëdha mbeten te dyshja Abakarov - Dudaev, me të cilët Federata Shqiptare e Mundjes synon të futet në zonën e medaljeve.