Ndonëse ka diskriminuar jo rrallë sportistët e Kosovës, Serbia vazhdon të marrë të drejtën e organizimit të ngjarjeve të rëndësishme sportive. Në Beograd prej 15 deri më 29 prill do të mbahet Kampionati Evropian për boksierë dhe boksiere të nivelit amator.
Kosova është pjesë e Konfederatës Evropiane të Boksit (EUBC) dhe e ka me shumë interes që të marrë pjesë në Evropian në vitin olimpik. Kosova do të ishte pjesë e Kampionatit Evropian për seniorë nëse ngjarja kontinentale do të mbahej në ndonjë vend tjetër. Por pasi Evropiani mbahet në Beograd, pjesëmarrja e Kosovës është pak e mundur.
Në të kaluarën boksierët kosovarë nuk janë lejuar të futen në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme. Ka pasur raste kur u është kërkuar të garojnë pa simbole që paraqesin shtetin e Kosovës, po ashtu në territorin e Serbisë.
Sa i takon Evropianit, Kosova do të marrë pjesë vetëm nëse i garantohet pjesëmarrja e barabartë me të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse.
“Nëse na garantohet pjesëmarrje e barabartë me delegacionet e tjera, do të jemi në Evropian. Në të kundërtën jo. Pra nëse ka ndonjë tendencë diskriminimi ndaj ekipit përfaqësues të Kosovës, nuk do të jemi në këtë ngjarje të rëndësishme. Vetëm prezantimi i barabartë vjen në konsideratë”, ka thënë për KOHËN të martën Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
Federata e Boksit e Kosovës tashmë i ka shkruar Konfederatës Evropiane. Ka përmendur diskriminimet e kaluara të bëra nga Serbia dhe se si kjo ka ndikuar në imazhin e EUBC-së dhe në ëndrrat e boksierëve të rinj kosovarë.
Në prag të Evropianit në Beograd, Federata kosovare i ka paraqitur kërkesë të qartë EUB-së.
“Kërkojmë nga Konfederata Evropiane e Boksit që të zbatohen masa dhe udhëzime strikte që garantojnë mundësi të barabartë për të gjithë sportistët, pavarësisht nga gjinia, nacionaliteti apo çdo karakteristikë tjetër që mund të jetë bazë për diskriminim. Ne besojmë se Kampionati Evropian i Boksit në Beograd mund të shërbejë si një fener shprese dhe uniteti, duke shfaqur frymën e vërtetë të boksit në botë”, shkruan në një letër që kryetari i Federatës kosovare të boksit, Enver Krasniqi, ia ka dërguar EUBC-së.
Në letër Federata kosovare ka lënë të kuptohet se planifikon të marrë pjesë në Evropian. Por kjo natyrisht do të varet nga qasja e EUBC-së.
“Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje të rëndësishme. Ne kemi besim se nën drejtimin tuaj Kampionati Evropian do të jetë një sukses i madh, i njohur për konkurrencën, integritetin dhe gjithëpërfshirjen e tij”, shkruan në letrën e Federatës kosovare për EUBC-në.
Boksi kosovar është në moment shumë pozitiv. Javë më parë Donjeta Sadiku fitoi normën për lojërat olimpike “Parisi 2024”. Normë tjetër synohet në turneun e dytë dhe të fundit botëror kualifikues për “Parisi 2024”, që mbahet në fund të majit në Bangkok të Tajlandës. Por fillimisht fokusi është tek Evropiani i ndërlikuar në Beograd.