Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) dhe Konfederata Evropiane e Boksit(EUBC) nuk janë në koordinim të plotë sa i përket kalendarit të garave për vitin e ardhshëm.
Kampionati Evropian në boks në kalendarin e garave të IBA-së figuron në muajin mars, ndërsa në kalendarin e EUBC-së në muajin prill. Por ajo që dihet është se Evropiani do të mbahet në Beograd. Megjithatë, nuk dihet nëse pjesë e Evropianit do të jenë edhe boksierët e Kosovës.
Për të marrë “garanci” që Kosova do të lejohet të paraqitet me të gjitha simbolet shtetërore në Evropianin e Beogradit, krerët e Federatës së Boksit të Kosovës do ta ngrenë këtë si çështje gjatë Kongresit të Asociacionit Ndërkombëtare të Boksit amator. Kongresi mbahet më 9 dhjetor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pjesëmarrës në Kongres pritet të jenë kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli.
“Do të kërkojmë të dimë se çka do të ndodhë me garuesit tanë, sepse kërkesa jonë e vetme do të jetë që të na garantohet pjesëmarrja pa kushte. Pra, me simbolet shtetërore. Përndryshe nuk pranojmë të marrim pjesë. Ne duam trajtim të barabartë ashtu siç ndodhë për të gjitha shtetet e tjera anëtare të IBA-s dhe EUBC-së”, ka thënë Demolli të mërkurën për KOHËN.
Boksierët e Kosovës janë diskriminuar disa herë në ngjarje të organizuara nga IBA.
Delegacionit të Kosovës nuk i ishte lejuar hyrja në Serbi për të marrë pjesë në Botërorin e mbajtur dy vjet më parë, ndërkohë boksierët nuk janë lejuar as në Botërorin e mbajtur në maj në Tashkent të Uzbekistanit.
Më herët, Donjeta Sadikut i ishte mohuar tri herë pjesëmarrja në Botëror nga India. Boksierët shpesh janë kushtëzuar me heqjen dorë nga simbolet e shtetit të Kosovës. Kjo nuk është pranuar asnjëherë. Nuk do të pranohet as për Evropianin që është caktuar të mbahet në Beograd.
“Na janë mohuar shumë ngjarje të mëdha botërore. Duam të kemi një përgjigje, pasi të gjithë e kanë gojën plot duke thënë se politika nuk duhet të lejohet të përzihet në sport, ndërsa në rastet tona politika ka ndikuar direkt që të mos jemi pjesë e ngjarjeve globale”, ka theksuar Demolli.
Ai thotë se u është premtuar nga presidenti i Konfederatës Evropiane, Ioannis Filippatos, se kjo çështje do të diskutohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Gjatë qëndrimit në turneun ‘Adem Jashari’ dhe dy herë të tjera në Kosovë, presidenti i EUBC-së na ka thënë se do të bisedoj edhe me Vuçiqin për të na lejuar të marrim pjesë me simbole shtetërore në Evropian. Presidenti i EUBC-së dhe Vuçiqi janë miq. Dhe, na ka thënë se do të takohet për të diskutuar për Kosovën. Shpresoj të marrim përgjigjet para kohës dhe jo të pritet në minutat e fundit, sepse shpenzimet tona po shkojnë dëm. Ne jemi në pritje të vizave për të qenë të pranishëm në Kongres dhe të shohim se çka do të na thuhet”, ka thënë Demolli.
Serbia paraqet vazhdimisht pengesa për sportistët kosovarë. Por asaj vazhdojnë t’i besohen ngjarje të mëdha sportive.