Sport

Botërori i mundjes në Beograd, Kosova nuk merr pjesë

Kosova do të lëshojë edhe një ngjarje të madhe ndërkombëtare sportive që zhvillohet në territorin e Serbisë. Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror të Mundjes që prej 10 deri më 18 shtator mbahet në “Shtark Arena” në Beograd.

Në ngjarjen kryesore të vitit në mundje do të marrin pjesë mbi 800 garues. Por, në mesin e tyre nuk ka ndonjë mundës nga Kosova.

Federata Botërore e Mundjes tashmë ka publikuar listën finale të pjesëmarrësve. Pjesë e saj nuk janë mundësit e Kosovës.

Në të vërtetë drejtues të Federatës së Mundjes së Kosovës më herët kishin deklaruar se planifikojnë të marrin pjesë dhe se janë duke u bërë gati për Botëror, por duket që kanë ndërruar mendjet.

Kryetari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja, ka thënë se nuk ka dashur t’i dërgojë garuesit në kryeqendrën e Serbisë për arsye sigurie.

“Nuk kam dashur vetë t’i dërgoj garuesit, pasi nuk kam dashur t’i rrezikoj ata. Nuk ka pasur ndonjë garanci për siguri, edhe pse ma kanë premtuar një gjë të tillë. Sylejman Shala merr pjesë në Kongres, por jo edhe garuesit në Botëror. Nuk kemi pasur probleme apo ndonjë kusht për pjesëmarrje, por thjesht nuk kam dashur që garuesit të rrezikohen, sepse askush nuk do të kishte dhënë përgjegjësi përveç meje. Nuk e kam pasur mendjen të bëj politikë, pasi dua të merrem me sport. Po ashtu Egzon Shala ka qenë i lënduar. Pastaj edhe siguria e garuesve ka bërë që të mos marrim pjesë”, ka thënë Muja për KOHËN.

Në fillim të qershorit nga FMK-ja kishin thënë se po përgatiten për pjesëmarrje të barabartë, si të gjitha shtetet e tjera. Deklarata e drejtuesve të FMK-së kishte ardhur pasi një zyrtar i Federatës së Mundjes i Serbisë kishte deklaruar se mundësit e Kosovës në Botëror mund të paraqiten vetëm duke e prezantuar Serbinë.

Ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në territorin e Serbisë vazhdimisht janë problematike për Kosovën. Atletja Gresa Bakraqi më herët, këtë vit, ishte paraqitur në Botëror, në palestrën mbajtur në Beograd, por prezantimi i saj ishte shumë diskriminues. Më herët atletët e rinj morën pjesë në një Ballkanik në palestër dhe u vlerësua se kështu po bëhen hapa para sa i takon paraqitjes së sportistëve të Kosovës në ngjarjet e mëdha që mbahen në Serbi.

Këto lëvizje erdhën pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi Serbinë se do t’ia ndalonte organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare nëse nuk do të ofronte trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit. Ka pasur shumë raste në të kaluarën kur sportistët nga Kosova nuk janë lejuar të paraqiteshin në ngjarjet ndërkombëtare në Serbi.

Serbia, përkatësisht Beogradi, organizon shpesh ngjarje ndërkombëtare sportive. Dhe telashet për pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në to pritet të vazhdojnë. Natyrisht, nëse nuk hiqet dorë në mënyrë të vullnetshme, si në këtë rast nga FMK-ja.